“Filozofi për qejf”: leximi i lehtë i një mendimi të komplikuar
Botimi më i ri nga LOGOS-A nga një dorë mjeshtërore në përkthim
Këto ditë shtëpia botuese e mirënjohur Logos-A botoi katërvëllimëshen “Filozofi për qejf” të autorit turk Ömer Sevinçgül, në pëkthim të profesorit dhe përkthyesit Ali Pajaziti, vepër kjo që e pasuron literaturën shqiptare me një tekst të rëndësishëm për frymimin filozofik ndër ne.
Siç shprehet autori i parathënies Edison Çeraj, kjo seri me emëruesin e përbashkët “filozofi për qejf”, përbën një vepër e cila mundohet ta paraqesë sa më grishëse filozofinë, duke i përcjellë idetë kryesore me një modus të kuptueshëm nga lexuesi “i thjeshtë”.
Kjo është një qasje e cila ia heq filozofisë atë hijen e rëndë që ka marrë në sytë e shumicës, si “e vështirë”, “e pakuptueshme”, “e ftohtë” etj. Prandaj, ata të cilët kanë ankesa ndaj filozofisë, në këtë rast nuk kanë justifikim, sepse autori është kujdesur në mënyrë të posaçme për pakënaqësitë e tyre.
Një prej arritjeve kryesore të autorit është se, idetë kryesore të filozofëve, prej lashtësisë e deri në periudhën postmoderne, i ka vendosur përballë jetës dhe njerëzores, duke na provuar kështu se cila është lidhja e tyre me jetën e jetuar; se çfarë i thonë dhe i vyejnë njeriut dhe njerëzores në veprim e sipër; se sa na ndihmojnë në përmbushjen tonë si të tillë…