Geer: Do i shohim veprimet pas formimit të qeverisë, do i mbështesim ata që ndërmarrin veprime reale në rrugën drejt BE-së
BE-ja dëshiron të sheh veprime reale nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në rrugën e vendit drejt integrimit evropian. Ky ishte mesazhi kryesor që ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, David Geer përcolli sot kur u pyet për të ardhmen evropiane të vendit me udhëheqësinë e re politike në vend, shkruan Portalb.mk.
I pyetur për negociatat midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it mbi formimin e qeverisë së re, dhe vendosjen e eurointegrimeve si një nga tre prioritetet e tyre, Geer tha se nuk do të komentojë mbi negociatat që po bëhen.
“Ne dhe Bashkimi Evropian patjetër do duam të punojmë me të gjithë që do e avancojnë rrugën eurointegruese të vendit për anëtarësim në BE, implementimin e reformave dhe të gjithë hapat e nevojshëm që do e sjellin këtë vend sa më shpejtë në BE”, tha Geer.
I pyetur bisedojnë me partitë dhe nëse ato do të angazhohen për integrimin e vendit në BE, Geer tha se bisedojnë me të gjithë, por se formimi i qeverisë nuk i takon BE-së.
Ai theksoi se të gjithë partitë gjatë kampanjës zgjedhore dhanë një agjendë të qartë pro BE-së dhe se do ta lëvizin vendin drejt BE-së.
“Nuk është pyetja të besohet çfarë thonë ata, ajo çfarë ne duhet të shohim është çfarë është bërë, cilat janë veprimet që do pasojnë pas formimit të Qeverisë dhe pastaj ne do ta bazojmë gjykimin në këto veprime. Patjetër do t’i mbështesim të gjithë ata që ndërmarrin hapa real për ta shkuar në BE”, tha Geer.