(VIDEO) Mungesa kritike e pilotëve, përballja me zjarret në pyje këtë verë do të jetë një sfidë shtesë

(VIDEO) Mungesa kritike e pilotëve,  përballja me zjarret në pyje këtë verë do të jetë një sfidë shtesë

Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit  viteve të fundit është përballur me një mungesë kritike të pilotëve të kualifikuar, situatë e cila, sipas autoriteteve në institucion, kërcënon seriozisht funksionimin e institucionit dhe aftësinë për të reaguar në kohë krize. Nga tre pilotët që kishte në dispozicion drejtoria, këtë vit mbeti vetëm një pilot, pasi dy prej tyre i plotësonin kushtet për pensionim.

Në një bisedë për MIA-n, kreu i DMSH- së ,Bekim Maksuti, theksoi se sfidë shtesë këtë verë do të jetë përballja me zjarret në pyje, pasi vitin e kaluar siç tha ai, për herë të parë që nga viti 2009, të tre aeroplanët e tyre janë angazhuar në luftimin e zjarreve.

BEKIM MAKSUTI DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

“Ne kishim tre pilotë deri në fund të vitit 2023. Në fillim të këtij viti dy kanë dalë në pension dhe aktualisht kemi vetëm një pilot. Jemi duke bërë përpjekje që të shohim se si mund t’i mbajmë, të paktën këtë vit, me qëllim që ndërkohë të marrim pilotë të rinj, pra të shpallim njoftime të reja për pilotë, për të cilat tashmë kemi pëlqim dhe presim  të përfundojnë disa procedura  që të mund ta publikojmë shpalljen”.

Nëse Qeveria nuk e merr seriozisht këtë problem, Maksuti thotë se vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e departamentit të aviacionit në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

BEKIM MAKSUTI DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

“Nëse ne si menaxhment nuk i bashkojmë duart që duhet ta zgjidhim shumë shpejt dhe seriozisht këtë, në një kohë të shkurtër do të vëmë në dyshim ekzistencën e departamentit të aviacionit në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, sepse megjithatë Agjencia e Aviacionit Civil ka kriteret e veta të cilat bazohen në rregulloret e vlefshmërisë ajrore të Shoqatës Evropiane të Aviacionit Civil  dhe në një rast të tillë humbasim licencën tonë të vlefshmërisë ajrore, pra nuk do të mund t’i përdorim as avionët që i kemi”.

Maksuti thotë se pranimi i pilotëve nuk do të thotë se ata do të jenë në gjendje të operojnë automatikisht avionin “Air Tractor” të DMSH-së por ata duhet të shkojnë në trajnime të mëtejshme në Spanjë ose në një vend tjetër të autorizuar nga prodhuesi, nëse pjesa financiare për trajnimin e mëtejshëm do të mbulohet nga DMSH.

Modeli i aeroplanëve “Air Tractor”, të cilët përdoren në DMSH-së, konsiderohet si më i komplikuari për t’u menaxhuar, thekson Maksuti, sepse kërkon aftësi dhe trajnime shtesë, ka kritere strikte dhe për këtë arsye jo çdo pilot mund të marrë një certifikatë. Nga pesë pilotë që janë pranuar në këto vitet e fundit në Drejtori, vetëm njëri ka arritur të përfundojë trajnimin e mëtejshëm dhe të marrë një certifikatë për të drejtuar një “Air Tractor”, tha ai.

Një problem tjetër që Maksuti e vë në dukje janë edhe pagat. Ai thekson se është e nevojshme që paga e pilotëve të punësuar në DMSH të jetë e barabartë me pilotët në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING