(VIDEO) Fushata për zgjedhjet parlamentare fillon më 18 prill
Fushata zgjedhore e kandidatëve presidencialë për raundin e parë të zgjedhjeve të 24 prillit ka hyrë në gjysmën e dytë, ndërkaq pas pesë ditësh, më 18 prill, fillon fushata për zgjedhjet parlamentare. Në fokus është integrimi europian i vendit, reformat e nevojshme, situata ekonomike, krimi dhe korrupsioni. Komisioni Shtetëror Zgjedhor të premten ka konfirmuar listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare, ndërsa disa lista nuk janë pranuar. Është hedhur edhe shorti për radhën e fletëvotimit për zgjedhjet parlamentare.
Temat kryesore të shtatë kandidatëve janë qëndrimi ndaj integrimeve evropiane dhe Kushtetutës, ndërsa fushata zhvillohet edhe rreth polemikave, të cilat presidenti duhet t’ua ofrojë qytetarëve, si dhe mënyrave për të luftuar korrupsionin dhe krimin.
Në ditët në vijim fushata pritet të jetë edhe më e ashpër ndërsa vlerësimet e publikut janë se deri më tani gjithçka që është dashur të thuhet tashmë është thënë.
Presidenti aktual I shtetit dhe kandidat i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, në një tubim tha edhe një herë se në këto zgjedhje janë profilizuar dy oferta të ndryshme politike, njëra që punon që shteti të ecë përpara drejtë BE-së dhe e dyta që bën gjithçka për ta rikthyer vendin prapa në pasiguri.
Disa prej kandidatëve për president, përveç integrimeve evropiane dhe Kushtetutës, e kthyen fushatën e tyre nga raporti i fundit i “Freedom House”, ku vërehet kthim mbrapa në fushën e demokracisë, korrupsionit dhe krimit, duke i shënjestruar me ato vlerësime edhe konkurrentët politikë.
Kandidatja për presidente që përkrahet nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se opinioni duhet ta mendojë faktin se ata që janë vendosur në nivelet më të larta të pushtetit dhe kanë marrë epitetin e të korruptuarve dhe të kriminalizuarve , tani thonë se do ta reformojnë Maqedoninë.
Edhe Arben Taravari, kandidati i koalicionit shqiptar “VLEN”, ka reaguar ndaj raportit të fundit të “Freedom House”, të cilin e ka cilësuar si shqetësues dhe ka thënë se sistemi i korrupsionit bashkë me zëdhënësit e tij që kandidohen për president, duhet të hiqen.
Kandidati për president Bujar Osmani nga radhët e BDI-së, i cili kandidon me sloganin President evropian, ka deklaruar se më e rëndësishmja për të do të jetë formimi i një bordi ndërkombëtar të përbërë nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe në koordinim me institucionet në vend, do të bëjnë një riçertifikim të të gjithë bartësve të funksioneve publike në dy drejtime, nëse kanë ndonjë lidhje me interesat ruse dhe nëse janë të përfshirë në ndonjë formë korrupsioni.
Maksim Dimitrievski, nga partia ZNAM, në një konferencë për media sërish paralajmëroi për presione nga pushteti, të cilat, siç tha ai, kanë për qëllim ta largojnë atë nga përkushtimi i plotë në procesin zgjedhor. Ai theksoi se në më pak se një muaj është përballur me dy akuza, dhe tha se presion kanë pasur edhe punonëtorët në administratën publike dhe shtetërore, si dhe qytetarë të shtresave të ulëta sociale.
Kandidati për president Stevço Jakimovski akuzoi se kandidatët e dy partive më të mëdha politike në fushatën e tyre vetëm po dëshmojnë se do të jenë dorë e zgjatur gjatë mandatit të tyre.
Biljana Vankovska, e cila është kandidate e së majtës, tha se Kushtetuta si akti më i lartë juridik nuk mund më të “arnohet” duke pasur parasysh se tani është e “arnuar” dhe i ngjan fustanit së Hirushes me amendamente të panumërta. Sjellja e një kushtetute të re, moderne dhe bashkëkohore të shekullit 21-të për një komb modern maqedonas, është pjesë e programit të saj politik.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/