(VIDEO) Krerët e institucioneve të vendit: Bajrami është festë që na bashkon
Krerët shtetëror në vend kanë uruar festën e Fitër Bajramit. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka dërguar urime për festën e madhe myslimane të Ramazan Bajramit për qytetarët e besimit islam në vend, si dhe për kreun e Bashkësisë Fetare Islame. Në urimin e tij i pari i shtetit tha se fryma e kësaj feste duhet të përjetohet gjatë gjithë vitit, duke inkurajuar bashkëjetesën, paqen dhe harmoninë ndër qytetarët e vendit.
STEVO PENDERAVOSKI, PRESIDENT I MAQEDONISË SË VERIUT
“Si një nga shtyllat e islamit, Ramazani është muaj i mirësisë, dashurisë dhe faljes. Të gjithë të bashkuar me të afërmit tanë të ndajmë vizion për mirëqenie, prosperitet dhe zhvillim të atdheut tonë të përbashkët”
Urim të njejtë ka bërë edhe kryeministri Talat Xhaferi, i cili thotë Bajrami është festë që i bashkon familjet, të afërmit, miqtë, fqinjët ndër shekuj.
TALAT XHAFERI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Është festë e cila nxit solidaritetin dhe forcën shpirtërore te njerëzit për respekt të ndërsjellë, për durim dhe mirëkuptim, si rrugë e vetme drejt paqes së dëshiruar. Prandaj, le të bëjmë vepra të mira, le të jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe me dorën e shtrirë ndaj njëri-tjetrit të përparojmë bashkë të gjithë”.
Xhaferi tha se ata si politikan, do të mbështesin akoma më fortë ndërtimin e shtetit të përbashkët, duke plotësuar siç tha ai, të drejtat dhe obligimet e çdo një komuniteti.
Urim ka dërguar edhe kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski .
JOVAN MITRESKI, KRYETAR I KUVENDIT
“Festat fetare e ngrenë lart dashurinë ndaj njeriut, kështu që muajin që lamë pas treguam se nuk ka rëndësi se cilës fe i përkasim, por rëndësi ka respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, që na bëjnë të gjithëve më të mirë dhe më të pasur shpirtërisht”.
Mitreski ka deklaruar se pas një muaji agjërim, është lutur që të plotësohen të gjitha dëshirat, ndërsa është lutur të mbretërojë respekti i ndërsjellë, mirëkuptimi, toleranca dhe humanizmi.
Samir Mustafa /SHENJA/