(VIDEO) Digjet një pjesë e Sallës Universale në Shkup

(VIDEO) Digjet një pjesë e Sallës Universale në Shkup

Mëngjesin e sotëm është kapluar nga zjarri salla universale në Shkup, e cila për një kohë të gjatë ka qenë në fazë të rikonstruimit. Zjarri është shuar nga intervenimet e zjarrfikësve. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Shkup, Zvonko Tomevski njoftoi se  nuk ka njerëz të lënduar dhe se ka vetëm dëme materiale. Ai theksoi se 24 zjarrfikës kanë vepruar në vend-ngjarje.

ZVONKO TOMEVSKI, KOMANDANT I BRIGADËS SË ZJARRFIKËSVE, SHKUP

“Në ora 09:50 minuta është raportuar për zjarr në sallën universale. Menjëherë janë dërguar dy vetura të zjarrfikësve nga qendra më e afërt në Tavtalixhe, të cilët edhe para arritjes në vend-ngjarje kishin vërejtur shumë tym dhe menjëherë kanë kërkuar përforcim. Kemi intervenuar gjithsej me 9 vetura të zjarrëfikësve, me 24 zjarrëfikës dhe për një kohë relativisht të shkurtë zjarri u vendos nën kontroll. Për fat të mire nuk ka njerëz të lënduar, ka vetëm dëme materiale”.

Llazar Arsovski, përfaqësues i kompanisë “Universall Balkan”, e cila është kontraktuese e sallës, tha se shkaktar i mundshëm i zjarrit mund të jetë ndonjë kabllo apo instalim i vjetër.

LLAZAR ARSOVSKI, PËRFAQËSUES I KOMPANISË KONTRAKTUESE

 “Rikonstruimi është zhvilluar ngadalë, aq shumë letra dhe kërkesa iu janë dërguar investitorëve të vjetër, sikur të dihej se do të ndodhë kështu. Salla është ndërtuar në vitin 1963, kishte një afat 20 vjeçar, nuk e di sa ka ekzistuar, jemi me fat që e gjithë infrastruktura e ulëseve dhe teknologjia e skenës është nxjerrë jashtë. Është djegur ndërtimi i vjetër, pllakat dhe muret. Inxhinierët e mi fatmirësisht nuk kanë pasur punime sot brenda objektit. Vetëm një inxhinier ndërtimi dhe dy rojtarë ishin të pranishëm në Sallën Universale kur shpërtheu zjarri, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk u lëndua”.

Ministrja e Kulturës, Bisera Konstadinovska Stojçevska, e cila kishte arritur menjëherë në vend-ngjarje u bëri thirrje institucioneve për zbardhjen e shpejtë të shkaqeve të zjarrit në Sallën Universale.

BISERA KONSTADINOVSKA STOJÇEVSKA, MINISTRE E KULTURËS

“Jam е shqetesuar nga ajo qe shoh, jam informuar ne oren 9, zjarri tani ishte lokalizuar. Bëj thirrje per veprim te shpejtë nga të gjitha institucionet, zbardhje të shpejtë të shkaqeve. Nuk ka viktima, salla ishte bosh. Shkaku i dëmit do të përcaktohet me të gjithë, por ndërtesa është e siguruar dhe do të sanohet nga ato fonde dhe ndërtimi do të vazhdojë”.

Më 19 shkurt, Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratë me kompaninë ndërtimore Universale – Ballkan për rikonstruksionin e fasadës dhe mbulesës së kulmit të objektit “Salla Universale” – Shkup në vlerë prej 1,9 milionë euro. Rindërtimi filloi këtë vit pas një pauze dyvjeçare, pasi kryetarja e qytetit Shkupit, Danella Arsovska, nën autoritetin e së cilës është ky institucion, refuzoi ta realizojë atë, pasi siç tha ajo, projekti i paraardhësit të saj nuk ishte i sigurt.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING