Osmani: Do të mbetem gardian i Marrëveshjes së Ohrit, për të mbrojtur demokracinë konsensuale

Osmani: Do të mbetem gardian i Marrëveshjes së Ohrit, për të mbrojtur demokracinë konsensuale

Në vazhdën e ngjarjeve në kuadër të fushatës së kandidatit për President Europian, Bujar Osmani sot u mbajt panel, respektivisht bashkëbisedim me profesorë universitarë dhe analistë Kushtetutë qytetare vs. Kushtetutë e Ohrit. Me këtë rast, Osmani u shpreh i shqetësuar që ideja për Kushtetutë unitare, me të cilën do të shlyheshin bashkësitë etnike e inicuar fillimisht nga “Levica”, pastaj nga VMRO DPMNE-ja, tani po përkrahet nga oponentët shqiptarë politikë, “Është shokuese që parti opozitare shqiptare kanë hyrë në këtë lojë, për shkak të kalkulimeve për pushtet”.

“Teza për kushtetutë qytetare, ose kushtetutë ku njësia themelore e shtetit është vetëm individi, e jo dhe kolektiviteti, si njësi formuese e shtetit, është rreziku më i madh që mund t’i ndodhë shtetit, dhe abrogimi më i madh që mund t’i ndodhë Marrëveshjes së Ohrit… Heqja e tërë komuniteteve nga Kushtetuta dmth rikthimi e demokracisë së shumicës, ku mbivotimi dhe majorizimi është dominues. Mbivotimi dhe majorizimi sjellë në asimilim të grupeve të tjera nga shumica që është përcaktuese në këtë vend. Prandaj desha sot të debatojmë për këtë temë. Çështja e balancerit, mendoj që në esence ky propozim ka të bëjë me albanofobi. Aq më duket ofendues argumenti se balanceri paska ulur cilësinë” tha Osmani.

Osmani tha se Marrëveshja e Ohrit e ka transformuar shtetin, nga demokraci e shumicës, ku kishte majorizim të plotë nga komunitet ndaj komuniteteve tjera, në demokraci konsensuale. Në këtë kontekst, ai u zotua se do të mbetet gardian i Marrëveshjes së Ohrit, për të mbrojtur demokracinë konsensuale.

“Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje mes shumë partive politike dhe kandidatëve. Kemi betejë mes dy vizioneve: vizionin e integrimit, bashkëjetesës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies dhe vizionin, respektivisht konceptin e izolimit, tensioneve ndër-etnike dhe rrëshqitjes mbrapa. Për shkak se këto janë ofertat. Oferta e nacionalizmit dhe shovinizmit që kërkon 61 deputetë për t’i përjashtuar të tjerët. Dikush që kërkon 61 nuk është ajo për ta fuqizuar vetveten. 61 është paradigma e përjashtimit të të tjerëve. Kjo është ideja- t’i përjashtojmë të tjerët në vendimmarrje ose ta prishim konceptin e demokracisë sociale, ofertë që thotë unë do e prish Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, që nënkupton izolim të plotë të vendit dhe bllokim të integrimeve dhe rrënim të Marrëveshjes së Ohrit, kthimin e tensioneve ndër-etnike, konflikteve ndër-etnike.” u shpreh Osmani.

Akademikë të përkatësive të ndryshme etnike vlerësuan njëzëri se një kushtetutë qytetare nuk mund të reflektojë realitetin multi-etnik të Maqedonisë së Veriut dhe se tentativat për t’i shlyer ndryshimet që u bënë në Kushtetutë pas Marrëveshjes së Ohrit, janë tentativa për shlyerje të vetë Marrëveshjes së Ohrit dhe kthim të vendit në dekadencë. Ata theksuan se qëllimet e partitë që e promovojnë idenë e Kushtetutës qytetare e të cilat nuk janë parti qytetare, por nacionaliste janë dashakeqe dhe të rrezikshme për vendin.

Ndër panelistët që u kyçën në debat ishin: profesorët universitarë, si: Fatmire Limani, Asllan Bilalli, Ali Musliu, Qani Nuhiu, analisti Albert Musliu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati dhe juristi Sërxhan Amet.

 

MARKETING