(VIDEO) Mexhiti: Sa isha kryetar komune ia legalizova ndërtimet pa leje gjysmës së BDI-së
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se BDI-ja në pushtet është një histori e mbaruar. Në emisionin “Click Plus”, Mexhiti po ashtu ka bërë të ditur se si ish-kryetar i Komunës së Çairit, i ka mundësuar shumë zyrtarëve të BDI-së si dhe shumë qytetarëve që t’i legalizojnë shtëpitë e tyre që kishin statusin e ndërtimeve pa leje. Ndër ndërtimet pa leje që ka legalizyuar Mexhiti janë edhe shtesa e shtëpisë së kandidatit për president, Bujar Osmani dhe shtesa e banesës së ministrit për system Politik, Artan Grupit.
Izet Mexhiti
“Sonte për herë të parë po ua them se edhe kandidati për president Bujar Osmani shtëpinë e ka të ndërtuar në mënyrë të egër, dhe unë si kryetar komune ia kam legalizuar atij si edhe shumë qytetarëve tjerë, pra në vend se të paguaj taksa komunale 110 euro për m2, ka paguar 1 euro, dmth vetë ai ka ndërtuar shtëpi të egër. …..Artani dhe vëllezërit e tij kanë ndërtuar shtesë të banesave, në Çair, pothuajse gjysmën e ndërtesës e kanë të ndërtuar në menyrë të egër dhe të njejtat janë legalizuar.”
Mexhiti po ashtu tha se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tashmë e ka dorëzuar luftën tek blloku politik shqiptar. “Me koalicionimet e BDI-së me minoritetet, Ali Ahmeti po dëshmon se tashmë veçse e ka dorëzuar luftën tek shqiptarët”, tha Mexhiti.
Mexhiti ka deklaruar gjithashtu se çështja shqiptare dhe integrimi europian i shtetit janë vija të kuqe për opozitën. /SHENJA/