Rezolutë e re në OKB për armëpushim në Gazë

Rezolutë e re në OKB për armëpushim në Gazë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 25 mars sërish do të tentojë të miratojë një tekst që bënë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” në Gazë, përderisa nuk dihet nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin veton, teksa ka shenja se është dobësuar mbështetja e Uashingtonit për Izraelin.

Një ndryshim qëndrimi ndaj aleatit në Lindjen e Mesme u pa të premten, kur SHBA-ja prezantoi një rezolutë që kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm”. Megjithatë, rezoluta u bllokua nga Rusia dhe Kina, së bashku me shtetet arabe që kritikuan tekstin e rezolutës, pasi argumentuan se aty në mënyrë eksplicite nuk iu kërkua Izraelit që të ndalë fushatën e tij ushtarake në Gazë.
Në rezolutën e re, sipas një versioni të parë nga AFP-ja, kërkohet “një armëpushim i menjëhershëm” gjatë Muajit të Ramazanit që do të çonte “në një armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm”.

Rezoluta po ashtu kërkon “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve” si dhe heqjen “e pengesave që do të mundësonte dërgimin e ndihmës humanitare”.

Rezoluta është hartuar nga anëtarët jo të përhershëm të Këshillit, të cilët kanë negociuar gjatë fundjavës me SHBA-në për të shmangur vendosjen e vetos, thanë burimet diplomatike, që u shprehën optimiste se rezoluta do të kalojë.

SHBA-ja vazhdimisht ka bllokuar rezolutat për armëpushim, përderisa ka vazhduar të mbështetësë Izraelin, por ka shprehur frustrim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të numrit të madh të viktimave në Rripin e Gazës.

MARKETING