Pas ShBA-së, vjen reagimi edhe nga BE-ja: Të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet
Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se BE-ja është shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës gjatë kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog e Klinë.
Stano ka thënë se BE është e shqetësuar edhe me operacionin që ndodhi në objektin e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Ai ka shtuar se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmang veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.
“Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Stano.
Zëdhënësi i BE-së, tutje ka shtuar se mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Stano.
Ndryshe, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mbrëmë ka reaguar duke thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.