Pozhari: Kryeministër Kurti, është padrejtësi ta përkujtosh Holokaustin e mos të thuash asnjë fjalë për fëmijët e Palestinës!
Analisti i njohur shqiptar nga Kosova, Xhevdet Pozhari, përmes një shkrimi i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me fjalët: “kryeministër, është padrejtësi ta përkujtosh Holokaustin e mos të thuash asnjë fjalë për fëmijët e Palestinës!”.
Më poshtë e gjeni statusin e plotë të Pozharit:
“Kryeministri Albin Kurti paska kujtuar 27 janarin e vitit 1945, ditën që njihet si “Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokasutit”. Shumë mirë ka bërë! Por, kryeministër mos harro se sot një “holokaust” ndodh në Gaza ku çdo ditë pësojnë fëmijë palestinezë. Fëmijët nuk kanë etni. Është padrejtësi të kujtohet një ngjarje e para 80 viteve dhe të mos thuhet asnjë fjalë karshi asaj që ndodh sot, para syve të botës. Veçanërisht kur historia e hebrenjve shërben si një tmerr që nuk duhet t’i përsëritet kurrë asnjë populli!”
Ky reagim i Pozharit vjen pasi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar vrasjen e hebrenjve gjatë holokaustin në periudhën e Gjermanisë naziste, ai përmes Facebook ka thënë se shqiptarët e dinë si është të jesh i padëshiruar dhe që mund të përndiqesh, dhunohesh, shkatërrohesh e zhdukesh, me urdhër nga pushtete e shtete.
“Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë”, ka shkruar Kurti.