Katër këshilltarë të Gardës Revolucionare të Iranit vriten në një sulm izraelit në Damask

Katër këshilltarë të Gardës Revolucionare të Iranit vriten në një sulm izraelit në Damask

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike iraniane (IRGC) njoftoi sot se katër këshilltarë të saj janë vrarë në një sulm izraelit në kryeqytetin sirian, Damask, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Në një deklaratë, IRGC-ja tha se “përveç vrasjes së katër këshilltarëve ushtarakë që shërbenin në Siri, pati edhe vdekje midis forcave siriane” në sulmin izraelit.

Në deklaratë nuk jepet asnjë informacion shtesë për numrin e të vdekurve në forcat siriane.

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi gjithashtu se katër anëtarë iranianë të IRGC-së u vranë në një sulm izraelit në një lagje në kryeqytetin sirian.

“Dy këshilltarë të lartë ushtarakë të IRGC-së në Siri dhe dy anëtarë të tjerë të IRGC-së u martirizuan në sulmin ajror të regjimit sionist izraelit në kryeqytetin sirian, Damask”, raportoi agjencia.

Ndërkohë, agjencia siriane e lajmeve SANA konfirmoi sulmin pa dhënë detaje në lidhje me viktimat.

Izraeli kreu të shtunën një sulm që kishte në shënjestër një ndërtesë banimi në lagjen Al-Mazah, në perëndim të Damaskut, raportoi agjencia.

Një organizatë joqeveritare, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha në një deklaratë se një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në lagjen Al-Mazah, në perëndim të kryeqytetit Damask, pranë Xhamisë Al-Muhammadi, si rezultat i një rakete izraelite që shënjestroi një ndërtesë katërkatëshe.

Sipas raportimeve fillestare, sulmi rezultoi me vdekjen e pesë personave, thuhet në deklaratë.

Sulmi rezultoi gjithashtu në shkatërrimin e plotë të ndërtesës, tha grupi.

Që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011, Izraeli ka kryer herë pas here sulme në Siri ndaj pozicioneve ushtarake që u përkasin grupeve të mbështetura nga Irani dhe ushtrisë siriane.

MARKETING