Mbi 24.700 palestinezë të vrarë në Gaza, 70% gra dhe fëmijë

Mbi 24.700 palestinezë të vrarë në Gaza, 70% gra dhe fëmijë

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 24.762, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar.

Në një deklaratë, ministria shtoi se 62.108 persona të tjerë janë plagosur në ofensivë.

“Okupacioni izraelit kreu 12 masakra ndaj familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 142 dëshmorë dhe 278 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, tha ministria.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, thuhet në deklaratë.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.

Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë në Gaza është tashmë e zhvendosur brenda vendit, ndërsa përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, kurse 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

OKB-ja: 70 për qind e të vrarëve në Gaza janë fëmijë dhe gra

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se gratë dhe fëmijët përbëjnë 70 për qind të rreth 25 mijë personave të vrarë që nga 7 tetori në Rripin e Gazës.

Përfaqësuesi i Komisarit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, Ajith Sunghay, bëri vlerësime në konferencën javore për shtyp të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

“Në Gaza po arrijmë një tjetër pikë kthese tronditëse. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, rreth 25 mijë njerëz raportohen të vdekur, ku 70 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë” tha Sunghay.

Në Gaza janë plagosur të paktën 61.500 persona, tha Sunghay, i cili bëri të ditur se mijëra persona të tjerë ndodhen ende nën rrënoja dhe se shumica e tyre konsiderohet se kanë vdekur.

Sunghay deklaroi se që nga fillimi i javës ka qenë në Gaza, se mijëra persona në situatë të pashpresë vazhdojnë të vijnë në pikën kufitare Rafah dhe se ata kanë ngritur strehimore të improvizuara me çdo lloj materiali që kanë.

Bombardimi intensiv në pjesën qendrore të Gazës dhe në zonën e Khan Younisit mund të shihet qartë nga pika kufitare Rafah, tha Sunghay, duke shtuar se nata është koha “më e frikshme” për banorët e Gazës.

MARKETING