(VIDEO) Aziri: Të gjithë do të jenë të kënaqur nga zgjedhja e anëtarit të KSHZ-së
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, i cili vjen nga Aleanca për Shqiptarët, beson se përbërja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të kompletohet, përkatësisht do të zgjidhet anëtari i shtatë, konform ligjit dhe se të gjithë do të jenë të kënaqur me rezultatin.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHOQËRISË INFORMATIKE DHE ADMINISTRATËS
“Pajtohem padyshim që është gabim të tërhiqemi nga një proces, qoftë Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve, qofshin zgjedhje etj. Unë besoj fuqishëm te legjislacioni dhe ligjet. Ai proces është ende aktiv në Kuvend, ndaj nuk ka përfunduar dhe besoj se sipas rregullave dhe proceseve dhe lidhjes së aktiviteteve me ligjin do të kemi një përfundim të mirë të procesit. Procesi është ende aktiv. Kemi njoftime vetëm nga opozita, por nuk besoj se do të arrijmë në një moment të tillë që opozita të mos jetë pjesë e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve”.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i pyetur për plotësimin e vendit të zbrazur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve theksoi se pret që ajo pikë sa më shpejt të futet në rend dite në Kuvend dhe të zgjidhet një përfaqësues i propozuar nga opozita shqiptare.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË
“Në disa raste, deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë kërkuar që kjo pikë të futet në rend dite edhe në të kaluarën, por fatkeqësisht shumica refuzoi. Shpresoj që të vijë në vete dhe të mos lërë njollë në procesin që do të vijojë, sepse ky proces dhe këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Ndaj vlerësoj që në periudhën në vijim ajo pikë të jetë pjesë e rendit të ditës sa më shpejt që të jetë e mundur, për të zgjedhur një përfaqësues në KSHZ që do të propozohet nga opozita shqiptare”.
KSHZ-ja për momentin ka gjashtë anëtar, tre nga LSDM-ja, dy nga VMRO-DPMNE-ja përfshirë edhe kryetarin, një nga BDI-ja ndërsa një pozitë që duhet t’i takojë opozitës shqiptare është boshe.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/