(VIDEO) VMRO: Me Talatin kryeministër finalizohet BDI-zimi i qeverisjes
Pas nominimit të Talat Xhaferit për kryeministër teknik në 100 ditët e fundit , nga Bashkimi Demokratik për Integrim, vijnë edhe reagimet nga partitë opozitare në vend. Sipas VMRO-DPMNE-së, me Talatin kryeministër, bëhet “BDI-zimi” i Maqedonisë së Veriut. E për këtë ata fajin e hedhin tek LSDM-ja në pushtet, pasi sipas tyre, po e lejon një gjë të tillë dhe të njejtit akuzojnë Kovaçevskin dhe LSDM, se po e shkatërrojnë vendin.
VMRO-DPMNE
“Me emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër teknik, Maqedonia po kalon një BDIzim të plotë. Edhe një herë u tregua në veprim dhe u dëshmua se BDI është Qeveri dhe LSD është nënkontraktor. Siç luan Ahmeti për ta, kështu luajnë Kovaçevski dhe LSD. Kovaçevski për të mbijetuar edhe një muaj, është i gatshëm t’i lëshojë gjithçka BDI-së dhe Ahmetit, në dëm të popullit maqedonas. LSD dhe Kovaçevski nuk e pranuan propozimin e VMRO-DPMNE-së për shfuqizimin e qeverisë teknike, që Xhaferi të jetë kryeministër. Kriminelët e BDI-së e kanë marrë tërësisht menaxhimin e vendit, prandaj në Maqedoni po lulëzon krimi dhe korrupsioni”.
Në reagimin e VMRO-së, më tej thuhet se Xhaferi është dezertor i Ushtrisë së Maqedonisë në vitin 2001 kur vendosi t’i bashkohet UÇK-së. Ata shtojnë se Talat Xhaferi po ashtu do të mbahet mend për sjelljen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që sipas kësaj partie është kundër Kushtetutës dhe ligjeve.
Samir Mustafa /SHENJA/