Dialogu Kosovë-Serbi, Hill: Nuk është në tavolinë njohja reciproke, por normalizimi i marrëdhënieve

Dialogu Kosovë-Serbi, Hill: Nuk është në tavolinë njohja reciproke, por normalizimi i marrëdhënieve

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë sot se zyrtarët evropianë insistojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e jo në njohje reciproke, duke thënë se kjo nuk është në tavolinë.

“Para së gjithash, ajo që është në tryezë, natyrisht, nuk është njohja. Është normalizimi. Edhe unë mendoj se situata duhet të normalizohet. Njerëzit në veri të Kosovës duhet të zgjohen në mëngjes duke e ditur se si do të jetë jeta e tyre. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë kudo që duan. Duhet të ketë mirëkuptim për të gjitha këto çështje”, tha Hill në një intervistë për EuronewsSerbia.

I pyetur për mesazhet nga vendet kryesore evropiane – Gjermania, Franca dhe Italia, liderët e të cilëve i kanë bërë thirrje Beogradit që të bëjë njohjen de facto të Kosovës, Hill tha se “sigurisht duhet të kihet kujdes për zgjedhjen e fjalëve”, por shtoi se SHBA e kupton si kërkesë për normalizim të marrëdhënieve.

“E di që fjalët janë të rëndësishme. Fjalët janë veçanërisht të rëndësishme në kohën e zgjedhjeve. Megjithatë, nuk dua të futem në lojëra me fjalë. Ajo që dua të them është se ajo që është në tryezë është e njohur për të dyja palët. Serbia në thelb pranoi atë që ishte në të. Ka një mirëkuptim për të ecur përpara dhe bazohet në këto marrëveshje. Sinqerisht mendoj se ka pasur shumë progres, por kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, është në interes të Serbisë dhe Kosovës”, tha Hill, transmeton Telegrafi.

Duke komentuar projekt-konkluzionet e samitit të ardhshëm të liderëve të vendeve anëtare të BE-së, ku shkruhet se Këshilli Evropian i kërkon Komisionit Evropian dhe kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të propozojnë urgjentisht ndryshime në kriteret për kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që pjesë e saj të bëhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi i Zbatimit të saj, Hill tha se SHBA-ja “sigurisht mbështet aspiratat e Serbisë për t’u bërë pjesë e bllokut evropian”.

Hill ka shprehur shpresën se Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, megjithëse vlerësoi se konflikti në mes të Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur serb në Banjskë ka thyer besimin e fituar me vështirësi mes dy palëve.

“Ishte shumë e dëmshme për të gjithë të përfshirët. Ka pasur humbje jetësh, që është e tmerrshme. Unë mendoj se besimi, i cili u fitua me vështirësi në këtë proces, u dëmtua më tej për shkak të Banjskës,” tha Hill.

Ai tha se është e nevojshme të sqarohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin në Banjskë dhe shtoi se në të ardhmen duhet të bëhen përpjekje që të mos përsëriten gjëra të ngjashme.

“Duhet të ndodhin disa gjëra. Së pari, duhet të jetë e qartë se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës për këtë. Së dyti, duhet të ketë një mekanizëm më të fortë, një aftësi më të madhe për të siguruar që kjo të mos ndodhë më”, tha diplomati amerikan. /Telegrafi/

MARKETING