Festival golash në “Etihad”, Manchester City fiton Leipzigun, mposhtet Milani

Festival golash në “Etihad”, Manchester City fiton Leipzigun, mposhtet Milani

Milan pësoi një disfatë e cila do të peshojë shumë për rrugëtimin në Champions League. Kuqezinjtë u mposhtën në shtëpi me shifrat 1-3 përballë Borussia Dortmund teksa situata në Grupin F ndërlikohet jashtëzakonisht shumë për italianët.

Milan e pati shansin për të kaluar e para në avantazh, por Giroud gaboi nga pika e bardhë. Nga ana tjetër, penalltinë e ekzekutoi saktësisht Marco Reus. Gjithsesi, brenda pjesës së parë kuqezinjtë barazuan me Chukuwuezen.

Por, gjermanët nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe shënuan dy herë në fraksionin e dytë me anë të Gittens dhe Adeyemi. Pas kësaj humbje, Milan e sheh veten të fundit me pesë pikë, ndërsa Dortmund merr kreun me 10 pikë dhe siguron kualifikimin.

Pjesë e këtij grupi është edhe PSG me Newcastle që në sfidën e tyre barazuan 1-1. Francezët e shmangën humbjen vetëm në fund falë një penalltie të Mbappe dhe me pikën e marrë ngjiten në vend të dytë me shtatë pikë teksa do të luajnë ndeshjen e fundit në transfertë me Dortmundin e kualifikuar.

Në ndeshjet e tjera, Manchester City përmbysi Leipzig dhe nga rezultati 0-2, në fund fitoi 3-2. Anglezët sigurojnë vendin e parë me gjermanët që duhet të mjaftohen me vendin e dytë.

Sakaq, Barcelona mposhti Porton me shifrat 2-1. Portugezët kaluan të parët në avantazh, por mendoi dyshja portugeze, Cancelo dhe Felix për t’i dhuruar suksesin katalanasve. Kur ka mbetur edhe një ndeshje, blaugranat udhëheqin Grupin H me 12 pikë ndërsa Porto mbetet me 9 pikë.

Atletico Madrid fitoi me shifrat 1-3 në transfertë ndaj Feyenoord. Spanjollët garantojnë kualifikimin teksa renditen të parët me 11 pikë në Grupin E, edhe pse kreun e grupit do ta diskutojnë me Lazion.

MARKETING