Shefi i OKB-së përshëndet zgjatjen e pauzës humanitare në Gaza

Shefi i OKB-së përshëndet zgjatjen e pauzës humanitare në Gaza

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka përshëndetur zgjatjen e pauzës humanitare në Gaza për dy ditë të tjera, transmeton Anadolu.

“Unë do të thoja se është një paraqitje e shkurtër e shpresës dhe njerëzimit në mes të errësirës së luftës”, u tha Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së.

“Dhe, shpresoj fuqishëm se kjo do të na mundësojë të rrisim edhe më shumë ndihmat humanitare për popullin në Gaza që po vuan kaq shumë, duke e ditur se edhe me atë kohë shtesë do të jetë e pamundur të plotësohen të gjitha nevojat dramatike të popullsisë në Gaza”, tha Guterres.

Komentet e tij erdhën menjëherë pasi Katari njoftoi zgjatjen e pauzës së përkohshme humanitare në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas për dy ditë të tjera.

Guterres gjithashtu tha se ai ka “shumë shpresë” se një vendkalim tjetër mund të hapet për të mundësuar dërgesat e ndihmave humanitare në Gaza, të cilat në kuadër të pauzës humanitare duhej të lehtësohen.

Ai gjithashtu tha se Autoriteti Palestinez është i nevojshëm për të qeverisur në Gaza dhe në Bregun Perëndimor me përgjegjësi dhe për të krijuar kushtet për t’u siguruar që një zgjidhje me dy shtete të shkojë përpara.

“Kjo duhet të shkojë përpara në një mënyrë të pakthyeshme. Dhe, kështu, padyshim që kjo do të çojë në një Autoritet Palestinez të forcuar dhe unë besoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i gatshëm ta mbështesë atë”, tha Guterres.

Pafuqia e kaluar e Autoritetit Palestinez dhe përçarjet në shoqërinë palestineze çuan në marrëveshjen aktuale të ndarjes, me Hamasin që qeveriste në Rippin e Gazës dhe Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor. Me Izraelin që zotohet të eliminojë Hamasin dhe me shumë palestinezë të zemëruar nga sulmet izraelite në Gaza, e ardhmja e Palestinës pas konfliktit mbetet e paqartë.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të 7 tetorit nga Hamasi.

Që atëherë, sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, të paktën 14.854 palestinezë, përfshirë mbi 6.150 fëmijë dhe mbi 4 mijë gra, janë vrarë. Numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.

Një pauzë humanitare 4-ditore e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, hyri në fuqi të premten, duke ndaluar përkohësisht sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës.

MARKETING