(VIDEO) Stoltenberg në Shkup, Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri
Ndikimi rus ekziston, por Maqedonia e Veriut dhe rajoni nuk kërcënohen nga Rusia. Kështu , vlerësojnë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski të pyetur nëse dhe sa reale janë paralajmërimet se Rusia ka një plan për të destabilizuar Ballkanin. Stoltenberg theksoi se NATO nuk sheh ndonjë kërcënim ushtarak që vjen nga Rusia kundër ndonjë aleati të NATO-s apo rajonit, por sigurisht mbeten të kujdesshëm dhe të bashkuar.
Stoltenberg
“Ne po vëzhgojmë se çfarë po ndodh dhe jemi gati të rritemi dhe të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur çdo aleat kundër një kërcënimi ushtarak. Ne vazhdojmë të përsërisim mesazhin për Rusinë, të përmbahet nga veprimet agresive kundër fqinjëve të saj dhe të ndalojë agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Një nga arsyet pse Putini hyri në luftë ishte për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ai donte që NATO të garantonte se nuk do të zgjerohej”.
Kovaçevski
“Sigurisht, ndikimi i vendeve të treta, duke përfshirë ndikimin rus, ekziston në rajon, dhe ata janë gjithmonë në gjendje të gjejnë individë të njëjtë me mendimin e tyre në parti të caktuara politike dhe në organizata të caktuara, por ata nuk janë as afër asaj që institucionet tona. posedojnë dhe atë që posedojnë vendet anëtare të NATO-s, që të mund ta destabilizojnë vendin tonë në çfarëdo mënyre”.
Stoltenberg i cili po qëndron në një vizitë në Shkup, në kuadër të turit të tij Ballkanik u takua me krerët e shtetit. Në takimin dypalësh me kryeministrin ku morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, u diskutua për rolin e Maqedonisë së Veriut si një aleat i çmuar i NATO-s, vend anëtar që bën një kontribuon në realizimin e synimeve të NATO-s dhe mbetet e përkushtuar për të marrë pjesë në operacionet dhe misionet e Aleancës. Në takim u theksuan edhe përfitimet konkrete politike dhe ekonomike për vendin nga anëtarësimi në NATO. Kryeministri Kovaçevski theksoi se stabiliteti dhe siguria e mundësuar përmes anëtarësimit në NATO është e një rëndësie të madhe për zhvillimin e ekonomisë dhe është përfitim i drejtpërdrejtë si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë në Maqedoninë e Veriut.
Stoltenberg u takua edhe me presidentin dhe me kryetarin e kuvendit. Ai po ashtu iu drejtua edhe deputetëve. /SHENJA/