Marrëveshja me Italinë – Rama: Shqipëria është vend plotësisht europian, po i japim një ndihmë të vogël fqinjit

Marrëveshja me Italinë – Rama: Shqipëria është vend plotësisht europian, po i japim një ndihmë të vogël fqinjit

Gjatë intervistës për televizionin publik francez, FRANCE24, kryeministri Edi Rama është pyetur dhe për marrëveshjen e firmosur me Italinë për ardhjen e refugjatëve në Shqipëri dhe pse të gjithë në surprizë.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje ka shkaktuar kaq shumë zhurmë pasi Italia e ka arritur me një vend, i cili nuk është anëtar i Bashkimit Europian dhe si pasojë janë ngritur gjithë këto pikëpyetje.
“Duhet theksuar një arsye shumë e thjeshtë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është ende vend anëtar i BE, por është vend plotësisht evropian, fqinj me Italinë, dhe sikur e njëjta marrëveshje të ishte bërë me një vend të BE, nuk do të ishte fare lajm i ditës. Por fakti që kjo marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian, duhet të ngremë pikëpyetje për metodën në gjithë vendet e BE, sepse këto qendra pritjeje nuk janë gjë e re. Bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE”, tha Rama.
Më tej, kryeministri ka deklaruar nuk kemi pse të skandalizohemi, pasi Shqipëria është një vend plotësisht europian dhe thjesht po i japim një ndihmë një vendi fqinj me të cilin kemi lidhje prej një kohe të gjatë.
Sakaq, Rama theksoi se ardhja e 3000 emigrantëve nuk do të trondisë historinë e turizmit, pasi më herët janë strehuar mbi 4 mijë afganë.

“Përse duhet të skandalizohemi nëse është e eksternalizuar nga një vend i Bashkimit Evropian në një vend plotësisht evropian që është fqinj me këtë vend evropian? Nuk duhet të skandalizohemi nga kjo, duhet të mendohemi si të reagojmë të gjithë ndaj këtij fenomeni që është gjithnjë e më i madh dhe që askush nuk i ka dhënë përgjigje. Ndoshta qendrat e pritjes nuk janë zgjidhja e vërtetë, por nuk na takon neve t’i japim mend Evropës. Ne thjesht po i japim një ndihmë të vogël një vendi jo vetëm fqinj, por me të cilin jemi të lidhur thellësisht prej një kohe të gjatë. Nga ana tjetër, duhet të them se nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Por janë 3000 njerëz. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit. Sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë…”, u përgjigj kryeministri./abcnews.al

MARKETING