Kurti: Kurrë s’ka qenë më vështirë me gjet armë, kurrë më shtrenjtë s’kanë qenë, kurrë më shumë s’kemi blerë
Kryeministri Albin Kurti ka folur për blerjet e armatimit dhe pajisjeve ushtarake gjatë mandatit të tij derisa në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet projekt-buxheti.
Kurti tha se kurrë më shumë sesa sot është bërë e vështirë blerja e armëve dhe se janë shtrenjtuar shumë.
“Tash kurrë më vështirë se sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Dhe kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë se tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë me gjet, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë s’është blerë”, tha Kurti.
Kryeministri tha gjithashtu se në qeverisjen e tij është rritur zhvillimi ekonomik dhe se gjatë kësaj qeverisje i kanë shtuar mbi 1 miliard për çdo vit dhe se tash në fund të vitit është ulur edhe inflacioni.
“Në qeverisjen tonë janë dyfishuar edhe eksportet edhe investimet e huaja. Eksportet kanë qenë të pakta, por sidomos deficit tregtar ka qenë i lartë. E kemi gjetur 1 me 9 është më mirë se 1 me 6. Ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. “Është shumë vështirë të gjeni në histori e botë shembuj të tjerë ku bruto produkti vendor rritet për gati 50% për vetëm 4 vjet. Më tej, pagat janë rritur në sektorin publik me mbi 100 mln euro”.
Kurti tha se kanë investuar në katër fusha; mbrojtje e siguri, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.
“Inflacioni – e vërtetë që në janar ka qenë 12%, muajin tetor ka qenë 3.3%, në muajin shtator ka qenë 4.2%. Pra, në fillim të vitit inflacioni ka qenë shumë i lartë, por tash është relativisht i ulët dhe është ndër më të ulëtit në Europën Juglindore”.