Hamasi mohon se lideri i tij politik është takuar me Khamenei-n në Teheran

Hamasi ka mohuar raportet e mediave se shefi politik i grupit, Ismail Haniyeh, është takuar në Teheran me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, transmeton Anadolu.
MARKETING
Më herët, në media dolën raporte rreth një takimi Haniyeh-Khamenei ditët e fundit në kryeqytetin iranian në mes të ofensivës së vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë, Hamasi tha se i vjen keq për “publikimin e lajmeve të pabaza”.
Raportet thanë se lideri iranian i tha Haniyeh-it se Teherani nuk ishte njoftuar paraprakisht për sulmin ndërkufitar të Hamasit në Izrael më 7 tetor, pavarësisht dyshimeve të Perëndimit se Irani ka ndihmuar në organizimin e sulmit.
Sipas raporteve, Khamenei i tha Hanyeh-it se derisa Irani do t’i ofronte mbështetje politike Hamasit, ai nuk do të “ndërhynte drejtpërdrejt” në luftë.
Raportet e mediave gjithashtu pohuan se Khamenei i kërkoi Hanyeh-it që t’i “heshtin ato zëra” në Hamas që i bënin thirrje Iranit dhe grupit libanez Hezbollah të bashkohen drejtpërdrejt në luftën kundër Izraeli.
Nuk ka pasur asnjë koment nga autoritetet iraniane mbi akuzat.
Që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 11.500 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200.