Lufta në Ukrainë, BBC: Mbi 36 mijë ushtarë rusë janë vrarë nga forcat ukrainase
Të paktën 36,325 ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë që nga fundi i shkurtit 2022, raporton shërbimi rus i BBC -së në bashkëpunim me faqen ruse Mediazona dhe një grup vullnetarësh.
Regjistri përmban të dhëna nga burime të hapura.
Gjatë kundërofensivës ukrainase, mediat në fjalë identifikuan emrat e 3755 ushtarakëve rusë që u vranë. Mes tyre ishin më shumë se 370 oficerë, 2 gjeneralë dhe 32 ushtarë me gradën kolonel dhe nënkolonel.
Shërbimi rus i BBC-së thekson se numri i ushtarëve rusë të vrarë në kundërsulmin ukrainas është më i ulëti i humbjeve ruse. Ky numër përfshinte vetëm ata për të cilët ishin përmendur rrethanat specifike të vdekjes në nekrologji, ose ata që dita e vdekjes së të cilëve përkonte me datat e kundërsulmit.
Numri real i ushtarëve rusë të vdekur është më i lartë, thekson shërbimi rus i BBC. Për shembull, nga qershori deri në fund të tetorit, ishte e mundur të konfirmohej vdekja e 6675 ushtarëve rusë, por jo të gjithë e dinë datën e saktë të vdekjes së tyre. Në këto raste, siç raporton shërbimi rus i BBC-së, është zgjedhur data e shpalljes së vdekjes, si koha më e njohur kur ushtari i caktuar tashmë konsiderohej i vdekur.
Shërbimi rus i BBC-së thekson ndër të tjera se publikon vetëm të dhëna që është mundur të gjenden dhe verifikohen në bazë të burimeve të hapura, si deklarata të zyrtarëve dhe mediave, postimeve të të afërmve të të vdekurve në rrjetet sociale dhe informacione nga varrezat.