Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit mbi çështjen e emigracionit

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit mbi çështjen e emigracionit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë në Itali, ku është takuar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ndërkohë mes dy vendeve është nënshkruar edhe protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ku në Shqipëri pritet të ngrihet një qendër e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, kryeministri Rama u shpreh se protokolli i bashkëpunimi është një produkt i një diskutimi të gjatë për të bërë mirë.

“Shqipëria nuk është një vend BE, por është E. Ne jemi në Evropë, jemi një shtet evropian, por na mungon U-ja përpara por ndërkohë kjo nuk na pengon për të qenë dhe për të parë botën si evropianë. Më pas dhe një gjë tjetër që dua të nënvizoj qysh nga fillimi, ne nuk do të bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin sepse ka një ndryshim diferencë të madhe, me një ndryshim historik-kulturor dhe gjithashtu emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka një histori të mikpritjes, duke shtuar se “nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.

Duke iu referuar protokollit të bashkëpunimit, Rama tha se në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe për të menaxhuar një situatë, sipas tij, për një situatë që është e vështirë për Italinë.

Kryeministrja Meloni, duke iu referuar protokollit të bashkëpunimit, tha se është një marrëveshje që pasuron miqësinë midis Shqipërisë dhe Italisë, midis dy kombeve dhe shtoi se kanë pasur edhe iniciativa në lidhje me ndërmarrjen e hapave të përbashkëta sa i përket emigrimit.

“Fenomeni (emigrimi) nuk përballohet vetëm dhe kemi qenë në këtë ekuacion midis trajtimit brenda BE-së dhe jashtë BE-së. Dhe gjëja më e mirë për t’u bërë ka qenë pikërisht ky forcim i bashkëpunimit dhe kemi punuar së bashku për të përforcuar këtë marrëveshje dhe këtë bashkëpunim, i cili fikson tre objektiva: luftën kundër trafikut të paligjshëm dhe jo vetëm pritjes të refugjatëve për ata që kanë rekuizitën dhe Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona të vendit të Shqipërisë dhe Italia mund të operojë sipas pjesës ekonomike me financat e Italisë për të bërë këtë lloj seleksionimi. Dhe refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë dhe jo”, tha Meloni.

Ajo theksoi se në portin e Shëngjinit në Shqipëri, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit (të emigrantëve), dhe do të realizohet një qendër e pritjes dhe sipas saj, ky lloj bashkëpunimi ka për qëllim që të jetë operativ në pranverën e ardhshme.

Meloni theksoi se kjo marrëveshje tregon se mund të bashkëpunohet në frontin e menaxhimit të flukseve të refugjatëve dhe shtoi se duhet të bashkëpunojnë me një frymë evropiane.

Pas deklaratës, Rama dhe Meloni nënshkruan protokollin i bashkëpunimit midis Qeverisë së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit.

Së bashku me kryeministrin Rama në këtë vizitë ishin edhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar të Shqipërisë.

MARKETING