Gostivari fiton Strugën, Shkëndija barazon me Voska Sportin

Gostivari ka fituar duelin me Struga Trim Lum, ndërsa Shkëndija sërish ka ngecur me barazim në Tetovë, duke u ndalur nga Voska Sport në ndeshjet e zhvilluara sot të vlefshme për xhiron e 12-të në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoninë e Veriut. Skuadra e Gostivarit mundi kampionët në fuqi me shifra 2:1, ku golat për triumfin e vendasve i realizuan Kehinde dhe Potuk. Ndërkohë në Tetovë, Shkëndija sërish është ndalur me barazim, pasi u ndal nga Voska Sporti me rezultat 1:1. Bajrami për ekipin nga Ohri dhe Shala për Shkëndijën realizuan golat në këtë takim. Fitore bindëse ka marrë Shkupi në Çair, pasi mundi Rabotniçkin me rezultat 3:0. Në dy takimet tjera, Vardari triumfoi ndaj Brera Strumicës me rezultat 1:0, përderisa Makedonija Gjorçe Petrovi dhe Tikveshi u ndanë me barazim 1:1. /SHENJA/