Gaza, katër spitale mbetën jashtë funksionit nga sulmet e Izraelit

Gaza, katër spitale mbetën jashtë funksionit nga sulmet e Izraelit

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qudra, njoftoi se katër spitale mbetën jashtë shërbimit pas sulmeve të Izraelit, raporton Anadolu.

Në deklaratën e tij me shkrim, zëdhënësi Al-Qudra, tha se vazhdojnë shkeljet e Izraelit ndaj institucioneve shëndetësore në Gaza.

Duke deklaruar se Izraeli kishte në shënjestër 19 institucione shëndetësore, Al-Qudra theksoi se 14 qendra shëndetësore të lidhura me Ministrinë e ndaluan punën e tyre për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së karburantit.

Al-Qudra deklaroi se Spitali El-Yemen Es-Said mund të ofrojë shërbime vetëm për raste urgjente për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mbarimit të karburantit.

“Për shkak të bombardimeve izraelite, deri më tani katër spitale: Beit Hanoun, Ed-Durra, El-Kerame, El-Uyun kanë mbetur jashtë shërbimit”, shtoi ai.

Duke theksuar se Izraeli qëllimisht shënjestroi 23 ambulanca dhe se ambulancat u bënë të papërdorshme, Al-Qudra deklaroi se 44 punonjës të kujdesit shëndetësor humbën jetën dhe 70 u plagosën në sulmet e Izraelit.

– Në spitalet në Gaza kapacitetet janë mbushur 50 për qind mbi maksimumin

Duke theksuar se në spitalet në Rripin e Gazës është arritur tejkalim i kapaciteteve prej 50 për qind, Al-Qudra deklaroi se spitalet pranojnë pacientë dhe të lënduar përtej kapacitetit të tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë theksoi se pacientët janë të shtrirë në korridoret e spitaleve dhe tha se Ministria ka mobilizuar ekipet e saj për të vazhduar ofrimin e shërbimeve në 18 qendra shëndetësore.

Duke deklaruar se ka probleme me ilaçe, furnizime mjekësore dhe karburant në spitale, zyrtari palestinez paralajmëroi se vonesat në dërgimin e furnizimeve mjekësore në spitalet në Gaza do t’u kushtojnë jetën më shumë pacientëve.

Al-Qudra bëri thirrje për ndihmë urgjente mjekësore nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat humanitare dhe spitalet në Gaza.

MARKETING