Kina kërkon zgjidhje me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit Palestinë-Izrael

Kina kërkon zgjidhje me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit Palestinë-Izrael

Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka kërkuar zgjidhje me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Palestinë, transmeton Anadolu.

Jinping priti në takim në Pekin kryeministrin e Egjiptit, Mostafa Madbouly, ku ai po merrte pjesë në forumin dy-ditorë “Brezi dhe Rruga”, i cili përfundoi dje.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se Jinping në takim tha se “prioriteti kryesor është ndalimi i luftimeve sa më parë, parandalimi i përhapjes së konfliktit apo edhe dalja jashtë kontrollit si dhe parandalimi i një krize të rëndë humanitare”.

“Rruga themelore për të dalë nga konflikti i përsëritur palestinezo-izraelit është zbatimi i zgjidhjes me dy shtete, krijimi i një shteti të pavarur palestinez dhe arritja e bashkëjetesës paqësore midis Palestinës dhe Izraelit”, tha Jinping.

Presidenti kinez vlerësoi “rolin jetik të Egjiptit në de-përshkallëzimin e situatës” dhe tha se “mbështet përpjekjet e vendit për të hapur një korridor humanitar”.

“Kina do të koordinohet më shumë me Egjiptin dhe vendet e tjera arabe për të punuar për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze”, tha ai.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”.

Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza ndërsa tek pala izraelite shifra qëndron në të paktën 1.405 të vrarë.

MARKETING