Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral Özkan Ulutaş
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral Özkan Ulutaş, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it.
Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë.
“Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi”, thuhet në njoftim.
Kurti e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar se kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
“Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, tha Kurti sipas komunikatës. Ai potencoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.
Në sulmin e armatosur nga një grup serbësh të uniformuar më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për organizimin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.