Në Merdar arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë arrestuar në Merdarë një serb me iniciale (T.B.),viti i lindjes 1971, i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
I njëjti dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë.
Personi i dyshuar është dërguar në Polici dhe pritet të intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës ku të gjitha procedurat e mëtejme do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë.
Javë më parë, policia kishte arrestuar edhe ish-pjesëtarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zoran Kostiq, Dragan Milloviq i njohur me nofkën Musa dhe Illija Elezoviq, nën dyshimet për krime lufte në zonën e Vushtrrisë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në mars të vitit 1999, një grup i policëve paramilitar serbë janë vendosur në fshatin Reznik, më saktësisht në shtëpinë një personi.
Sipas dosjes, i dyshuari Zoran Kostiq ka qenë komandant i këtij grupi paramilitar dhe i njëjti ka udhëhequr çdo veprim të tyre.
Një ndër këto veprime, sipas dosjes ishte edhe masakra në familjen Ujkani të cilën sipas dosjes e kishte udhëhequr i dyshuari Kostiq.
Dosja thotë se pas ekzekutimit të viktimave të kësaj masakre ishin djegur shtëpitë dhe trupat e viktimave nëpër shtëpitë e tyre në fshatin Reznik.
Sipas dosjes së gjykatës, i dyshuari Elezoviq në shkurt të vitit 1999 në fshatin Nakovc, i armatosur me snajper duke lëvizur me veturë ka shtënë në drejtim të viktimës S.F. duke e goditur të njëjtin në këmbën e majtë.
Pasi viktima ishte rrëzuar, i dyshuari kishte shtënë sërish në drejtim të tij, por që fatmirësisht kishte shpëtuar dhe ka ikur në drejtim të Vushtrrisë ku i plagosur ka marrë ndihmën e parë një mjek, thuhet në dosje.
Këta persona nuk janë liruar por pasi u janë marrë paratë janë rrahur në mënyrë çnjerëzore dhe më pas janë dërguar në Burgun e Smrekonicës, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.
Tutje, thuhet se këta persona janë lënë në kushte skllavërie, në mungesë të kushteve elementare për jetë e po ashtu ishin rrahur, torturuar e trajtuar në mënyrë ç’njerëzore nga ana e të dyshuarve.
Këtë burgosur ishin dërguar fillimisht në Shkollën Teknike në Mitrovicë për dhënien e deklaratave, pastaj sërish në Burgun e Smrekonicës e nga burgu në drejtim të Shqipërisë.
Sipas dosjes së Prokurorisë këto veprime të pretenduara të të dyshuarve bien në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare, dhe atë Konventën e Gjenevës.