Ushtria izraelite shpalli “alarm për gjendje lufte”, fillon sulmet në Gaza
Ushtria izraelite shpalli “gjendjen e gatishmërisë së luftës” pas zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës, pas së cilës nisën sulmet në Gaza, raporton Anadolu.
Siç njoftoi ushtria izraelite, situata e përmendur është shpallur për shkak të “sulmeve të shumta nga Gaza në orën e fundit”.
I njëjti burim ka thënë se disa grupe palestineze kanë hyrë në territorin e Izraelit, në zonën kufitare me Gazën dhe se aty po zhvillohen luftime.
Ushtria izraelite më pas njoftoi se kishte nisur sulmet në Rripin e Gazës të bllokuar.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant ka autorizuar “mobilizim masiv të forcave rezervë”, raportojnë mediat lokale.
Siç thonë nga autoritetet izraelite, grupe të armatosura palestineze hynë në territorin e Izraelit dhe pushtuan stacionin e policisë në qytetin Sderot.
– Shkon në 5 numri i të vdekurve në Izrael
Sipas lajmit të televizionit izraelite “Kanal 12”, mësohet se për shkak të raketave të hedhura nga Gaza në Izrael kanë humbur jetën 5 persona.
Gazeta “Haaretz” ka njoftuar se ka arritur në mbi 100 numri i të plagosurve si pasojë e sulmeve me raketa në të gjithë Izraelin.
Ndërkohë nuk janë ndarë të dhëna lidhur me identitetin e personave që kanë humbur jetën dhe se ku ndodhen ato.
Shërbimi izraelit i ndihmës emergjente, Ylli i Kuq i Davidit njoftoi se një izraelit ka humbur jetën dhe 15 persona të tjerë janë plagosur në sulmet e nisura në orët e mëngjesit kundër Izraelit nga Rripi i Gazës nën bllokadë.
– Izraeli filloi sulm ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se dhjetëra avionë luftarakë kanë filluar të godasin objektivat e ndryshme të Hamasit në Rripin e Gazës.
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se mëngjesin e sotëm kanë nisur kundër Izraelit operacionin “Tufani i Aksa-së” dhe se me operacionin infiltrues brenda Izraelit ka kryer sulme me raketa.