(VIDEO) Opozita shqiptare fajëson Xhaferin për interpelancën e Jovevskit
Fronti opozitar, AlternAtivA – Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, akuzojnë drejtpërdrejt kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin dhe partitë shqiptare në pushtet , Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Aleancën për Shqiptarët, për, siç thonë ata, këta po e shpëtojnë kryeprokurorin, Lubomir Joveski nga interpelanca. Deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini , e cila foli në emër të frontit, tha se kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend dite në seancën e parë të ardhshme plenare. Megjithatë, Sadiki thotë se u bënë 15 ditë dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ka ftuar seancë plenare për këtë interpelancë.
SAFIJE SADIKI SHAINI,DEPUTETE E ALTERNATIVËS
“Kjo na bën të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Lubomir Joveski, e që mund të ketë lidhje me ndonjë aferë korruptive, që kryetari i Kuvendit e mbron Kryeprokurorin edhe duke e shkelur Rregulloren e Kuvendit të RMV-së. Se me çfarë e mban të kapur Prokurori i Përgjithshëm kryetarin e Kuvendit ose dikë nga partia e tij, këtë duhet ta shpjegojnë ata, por se z. Xhaferi po e mbron Lubomir Joveskin, që në opinion shihet si fajtori kryesor për devijimin e procesit gjyqësor të spitalit modular në Tetovë, për këtë nuk më ka asnjë dyshim”.
Me mos interpelancë ndaj Jovevskit, deputetja e opozitës thotë se kjo përveç që i vë në bankën e fajtorëve, sepse sipas saj, po e mbrojnë një funksionar që ka frikë të përballet me deputetët që e kanë votuar, edhe kur emri i tij lakohet për abuzim me detyrën, këta deputetë, ajo thekson se lënë shumë hapësirë për dyshim se edhe ata ose krerët e partive të tyre janë të kapur në sirtarët e Joveskit.
SAFIJE SADIKI SHAINI,DEPUTETE E ALTERNATIVËS
“Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë ta bëjmë betejën me të gjitha mjetet demokratike, ndërsa që sot e tutje opinioni duhet ta dijë saktë dhe drejt se argatë të Lubomir Joveskit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë Talat Xhaferi bashkë me deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët. Ata janë emrat e përveçëm që nuk lejojnë të zbardhet e vërteta e djegies së 14 pacientëve në spitalin modular në Tetovë. U qoftë për nder!”
Përndryshe, deputetët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike – më 14 shtator 2023 kanë dorëzuar interpelancë për punën e Prokurorit të Përgjithshëm, Lubomir Joveski. Arsyeja e kësaj interpelance sipas tyre, është dyshimi i tyre se ai ka pasur rol në devijimin e procesit gjyqësor që është zhvilluar në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur 14 pacientë.
Samir Mustafa /SHENJA/