(VIDEO) Bekteshi: Me çmimet e garantuara qytetarët po kursejnë

(VIDEO) Bekteshi: Me çmimet e garantuara qytetarët po kursejnë

Me masat e Qeverisë për uljen e çmimeve të disa produkteve bazë të ushqimit,  në vendin tonë çdo shtëpi ka kursyer rreth 2.070 denarë, deklaroi sot ministri i Ekonomisë  Kreshnik Bekteshi. Ai tha se pas vendimit për çmim të garantuar te pijet, pritet që kursimi të shkojë në 2.500 denarë.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

“Krahasuar me 1 gushtin, çmimet që kanë qenë me pakicë dhe ajo që ishte me 20 shtator, pothuaj se secila amvisëri në shtetin tonë, ka kursim prej rreth 2.070 denarëve nga të gjithë ata produktet që janë ngrirë nga Qeveria, këtu nuk hyjnë pijet dhe pijet joalkoolike dhe alkoolike, që me siguri, sipas përllogaritjeve tona, do të arrin në rreth 2.400-2.500 denarë kursim në çdo amvisëri në shtetin tonë”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me një pagë mesatare prej 37.000 denarëve dhe një pagë minimale prej 21.000 denarëve, mund të mbulohet shporta e konsumit. Ai potencoi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë dhe atë në kohë inflacioni.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, tha se inspektorët do të hyjnë në çdo market dhe dyqan në vend, për të kontrolluar nëse është respektuar vendimi i ri i Qeverisë për çmimin e garantuar të produkteve. Ai pohon se të gjithë inspektorët janë në terren dhe se kanë pasur një tolerancë prej pesë ditësh që zinxhirët e mëdhenj të marketeve të përshtaten me çmimet e reja.

GORAN TRAJKOVSKI, DREJTOR I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË TREGUT

“Po ashtu u bëj apel të gjithëve që ISHT do të vizitojë çdo fshat të vendit tonë ku ka dyqane të vogla sepse kemi ankesa nga qytetarët. Kryesisht në zinxhirët e mëdhenj të marketeve janë korrigjuar dhe zbatuar vendimet e qeverisë”.

Trajkovski bëri të ditur se të shtunën janë dënuar shtatë zinxhirë të mëdhenjë të marketeve për mosrespektim të masës së qeverisë për uljen me 10 % të çmimeve të 25 produkteve. Sipas tij, dënimet janë paguar dhe marketet do të mund të hapen nga nesër në mëngjes.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING