(VIDEO) Pendarovski: Të 21 diplomatët e dëbuar rusë ishin të angazhuar në spiunazh

(VIDEO) Pendarovski: Të 21 diplomatët e dëbuar rusë ishin të angazhuar në spiunazh

Të gjithë diplomatët rusë të dëbuar nga Maqedonia e Veriut shkuan përtej statusit që iu dha pas arritjes në vend dhe kjo është dëshmuar deri në shkronjën e fundit, thotë presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për Zërin e Amerikës. Sipas Pendarovskit, ata kishin statusin e diplomatit dhe merreshin me spiunazh dhe këtë e kanë dëshmuar shërbimet tona dhe shërbimet partnere nga NATO.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“ Marrëdhëniet mes nesh dhe Federatës Ruse janë në nivelin më të ulët në histori për arsye të njohura. Në dy vitet e fundit, ne dëbuam, pa përfshirë tre të fundit, 18 diplomatë rusë, të cilët kishin statusin e diplomatit dhe të angazhuar në spiunazh. Shërbimet tona me ndihmën e shërbimeve partnere dhe miqësore të aleancës së NATO-s dëshmuan deri në germën e fundit se ata shkuan përtej statusit që iu dha kur erdhën në Maqedoni. Pra nuk kanë qenë diplomatë dhe për këtë janë dëbuar”.

I pyetur për masat reciproke që ka shpallur Federata Ruse ndaj Maqedonisë, Pendarovski thotë se është logjike që kjo të ndodhë, por thekson se vendi nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të kërkojë largimin e diplomatëve.

Para pak ditësh u dëbuan nga Maqedonia e Veriut tre diplomatë rus, pasi ata kishin shkelur Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Rusia e konsideroi shpalljen e tre diplomatëve si të padëshirueshëm, si një akt të papërgjegjshëm dhe armiqësor dhe njoftoi se nuk do të mbetet pa përgjigje.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING