Mickoski: Naive të besohet se ndryshimet e Kodit Penal janë të rastësishme

Mickoski: Naive të besohet se ndryshimet e Kodit Penal janë të rastësishme

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sonte deklaroi se është naive të besohet se ndryshimet në Kodin Penal janë thjesht ndryshime të zakonshme, por se është një skenar i përgatitur nga “boshti dhe strukturat BDI-LSDM dhe një pjesë e ish udhëheqësisë në VMRO-DPMNE” për të siguruar shumicën për të votuar ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar, e më pas për të ulur potencialin e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, partia nuk ka qenë kurrë më e bashkuar dhe ai i ka thënë Gruevskit të mos bëjë atë që nuk dëshiron t’i bëhet.

“E thashë qartë atë që kisha për të thënë në lidhje me Nikolla Gruevskin dhe nuk kam çfarë të shtoj më. Ajo që mund të them është naive të besohet se ky është thjesht një ndryshim i thjeshtë i Kodit Penal. Kjo është shumë më tepër se kaq. Ky ishte një skenar që ishte përgatitur nga boshti dhe strukturat BDI-LSDM dhe një pjesë e ish lidershipit në VMRO-DPMNE. Ky ishte një skenar i sajuar, para se gjithash, për të siguruar një shumicë me të cilën do të votohen ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar. Pasi e panë që kjo nuk do të ndodhë sepse vota ishte e qartë, ata 44 deputetë të koalicionit, pra të gjithë deputetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Kuvend, pastaj hapi i dytë në të cilin pushteti dhe boshti LSDM, BDI dhe një pjesë e ish lidershipit të VMRO-DPMNE-së ka qenë për të ulur potencialin e VMRO-DPMNE-së”, tha Mickoski në një deklaratë të dhënë në Komunën e Gjorçe Petrovit.

Sipas tij, LSDM-ja dhe BDI-ja do të ishin më të lumtura nëse VMRO-DPMNE do të kishte pesëdhjetë deputetë në zgjedhjet e ardhshme, sepse tani, siç tha ai, “ata e dinë se jemi shumë afër shumicës në Kuvend”.

“Dhe kështu, gjatë formimit të Qeverisë së tyre, të shantazhojnë VMRO-DPMNE-në, gjatë formimit të asaj Qeverie, të pranojë diktatin bullgar, do të thosha. Ajo që mund të them është se as tani dhe as në të ardhmen, derisa jam kryetar i VMRO-DPMNE-së, nuk do ta pranoj diktatin bullgar dhe këto kushte bullgare që i ofron LSDM-BDI dhe pjesë e ish lidershipit të VMRO-DPMNE-së, tash kolumnist. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë as tani e as në të ardhmen”, është i vendosur Mickoski.

Për informatat në opinion për përçarje në parti, lideri i partisë opozitare theksoi se jo vetëm që nuk ka ndarje në VMRO-DPMNE por që partia asnjëherë nuk ka qenë më e bashkuar.

“Por nga ana tjetër, vërehet se kur është votuar agjenda për ndryshimet kushtetuese, vërehet se dy deputetë nga koalicioni i LSDM-së nuk kanë votuar. Në të njëjtën kohë, do të shihni se dikush shfaqet nga BDI në baza ditore, madje kemi parti të reja politike. Që do të thotë se përçarja është diku tjetër. Në VMRO-DPMNE ka pasur një kohezion si asnjëherë më parë”, theksoi Mickoski.

Dhe në fund të ditës, shtoi ai, nëse me të vërtetë ka përçarje kjo do të thotë se ata kanë pozicion më të mirë tani dhe ta shpërndajnë Kuvendin.

“Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe le ta shfrytëzojnë këtë moment, nëse janë aq të fuqishëm”, tha Mickoski duke shtuar se kjo është mënyra e vetme të tregohet se ka përçarje.

Për mbledhjen e Komitetit Qendror, ai tha se bëhet fjalë për mbledhje të rregullt dhe se duhet të merren vendime sepse, siç tha ai, për gjashtë muaj nga tani do të kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.

“Strukturat e partisë janë duke u kompletuar, pra janë procese të rregullta si të Ekzekutivit ashtu edhe të Komitetit Qendror”, shtoi ai.

I pyetur për serinë e akuzave të ish kryeministrit dhe liderit të partisë në ekzil, Nikolla Gruevski, Mickoski tha se mesazhi i tij për të është: “Unë kurrë nuk do të doja t’u bëja njerëzve atë që nuk dua njerëzit të më bëjnë mua”.

MARKETING