(VIDEO) Borrell pas takimit me presidentët e Ballkanit Perëndimor: po përgatitemi për valën e re të zgjerimit
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka takuar gjashtë presidentët e Ballkanit Perëndimor në New York ku është duke u mbajtur sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kryediplomati teksa i quajti anëtarë të ardhshëm të BE-së shtoi se janë duke u përgatitur për valën e re të zgjerimit të bllokut.
JOSEP BORRELL, PËRFAQËSUESI I LARTË I BASHKIMIT EVROPIAN
“Takimi tradicional me gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të BE-së. Ne diskutuam sfidat aktuale globale, përafrimin, punën e përbashkët në forume shumëpalëshe dhe reformat. Duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit, ne duam ta bëjmë realitet progresin në integrim”.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013. Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në dhjetor të vitit të kaluar. /SHENJA/