(VIDEO) Nga e mërkura 50 produkte me çmime “të ngrira”

(VIDEO) Nga e mërkura 50 produkte me çmime “të ngrira”

50 produkte ushqimore nga dita e mërkurë do të shiten me çmime të ngrira, njoftoi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media. Ai bëri të ditur se në mbledhjen e së martës, qeveria do të përcaktojë listën e produkteve që nga e mërkura do të shiten me çmim të ulur, të garantuar dhe nuk do të lejohen të rriten deri më 30 nëntor. Bëhet fjalë për 25 kategori dhe mbi 50 produkte nga industria e bukës, e mishit, e qumështit dhe e ëmbëlsirave që do të shiten në markete me etiketë dhe do të kushtojnë aq sa janë shitur më 1 gusht si dhe me 10% ulje nga ai çmim, njoftoi Bekteshi. Lista e produkteve, siç theksoi ministri, është bërë sipas analizave të Entit Shtetëror të Statistikave se çfarë shpenzojnë më së shumti qytetarët.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

“Pasi janë bërë të gjitha analizat dhe diskutimet me odat ekonomike dhe të gjithë anëtarët e tregtisë, doli një ide për ti shënuar çmimet që do të ulen nga e mërkura. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë duke vepruar në përputhje me Ligjin për Tregti, do ta plotësojë vendimin në fushën e tregtisë dhe do t’i shënojë me ulje çmimi të gjitha produktet që pritet të listohen nesër në seancën e Qeverisë dhe do të jenë me minus 10% të çmimeve të shfaqura më 1 gusht në zinxhirët e tregjeve”.

Bekteshi apeloi prodhuesit dhe distribuesit që të aplikojnë vullnetarisht që produktet e tyre të kenë etiketën “çmim të garantuar”. Ai theksoi se pret që edhe pijet joalkoolike dhe alkoolike të shiten me etiketën “çmin të garantuar”.

 KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

 “U bëj thirrje prodhuesve dhe distributorëve që nuk janë në listë, të aplikojnë vullnetarisht për ulje çmimi, pra të mos ndihen të diskriminuar, të aplikojnë që produktet e tyre të kenë etiketën “çmim të garantuar”. Nesër do të kem bisedime me prodhuesit dhe shpërndarësit e pijeve alkoolike dhe joalkoolike dhe jam në pritje të reagimeve pozitive që çmimet e tyre të ulen deri më 30 nëntor. Ka interes nga kompani të caktuara në një kohë të tillë krize që të bëhen kompani me përgjegjësi sociale dhe të takohen me qytetarët”.

Bekteshi paralajmëroi edhe ndryshime në pjesën e aksioneve që mund të bëjnë marketet. Ai tha se do të lejohen aksione në çmimet e produkteve, me çmime edhe më të ulëta se ato të garantuarat, por nëse ka aksion për shkak të skadimit të një produkti kjo duhet tu bëhet e qartë konsumatorëve në mënyrë që të mos mashtrohen.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING