Paralajmërimi i një gjenerali polak mbi grupin Wagner
Gjenerali polak Arkadiusz Mikołajczyk, i cili merret me menaxhimin e burimeve dhe manovrueshmërinë e njësive polake pranë kufirit, u shpreh: “Ne po e ndjekim situatën nga afër, gjithçka varet se kush do të jetë në krye të Wagner në të ardhmen e afërt. Drejtimi i mundshëm që mund të marrin veprimet e tyre dhe niveli i përshkallëzimit në të cilin mund të arrijnë janë të paparashikueshme”.
Nga ana tjetër, polaku shpjegoi se mercenarët e Wagner kanë misione të ndryshme dhe një nga ato nuk është tjetër veçse “infiltrimi i paligjshëm i emigrantëve në territorin polak”.
Në fakt, ai rrëfeu një nga episodet e përballjes mes ushtrive që mbulonin të dy anët e kufirit, ku bjellorusët hodhën gurë. “Agjentët e atij vendi (Bjellorusisë) janë nën një presion të madh dhe pamundësia e tyre për të sjellë emigrantët që kanë përqendruar në kufi në Poloni u shkakton atyre probleme”.
Ultimatum nga Polonia për Bjellorusinë
Qeveria polake ishte një nga ato që i kërkoi Minskut që të dëbonte mercenarët sa më shpejt të ishte e mundur, së bashku me tre republikat baltike. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski. Ne kërkojmë që regjimi i Lukashenkos të dëbojë menjëherë grupin Wagner nga Bjellorusia dhe që migrantët e paligjshëm të largohen menjëherë nga zona kufitare. Ai paralajmëroi gjithashtu se Varshava “do të hakmerret menjëherë” nëse ndodh ndonjë lloj incidenti në kufirin e saj ose në atë të vendeve fqinje. “Të gjitha pikat kufitare do të mbyllen”.
Këto fjalë vijnë, sipas Kaminskit, pas një “përshkallëzimi” të tensionit në kufi me rritjen e një “presioni migrator” të qëllimshëm.

