Niger, mbahet protestë për largimin e ushtarëve francezë

Niger, mbahet protestë për largimin e ushtarëve francezë

Në Niger është mbajtur protestë për largimin e ushtarëve francezë që janë të vendosur në vend, raporton Anadolu.

Mijëra persona u mblodhën para bazës ushtarake franceze në kryeqytetin Niamey. Protestuesit brohoritën me sloganet “Nuk duam ushtarë francezë në territorin tonë”, “Ushtarë francezë largohuni” dhe “Jo pushtimit”.

Bëhet e ditur se protestë me të njëjtën arsye është mbajtur edhe në rajonin Tillaberi të vendit. Franca ka rreth 1.500 ushtarë në Niger dhe një bazë ushtarake të emërtuar “Niamey 101” në afërsi të aeroportit “Diori Hamani”.

Administrata ushtarake e cila erdhi në krye të Nigerit më 26 korrik, njoftoi se ka anuluar 5 marrëveshje ushtarake të nënshkruara me Francën. Administrata ushtarake më 25 gusht i dha ambasadorit të Francës në Niamey, Sylvain Itte afat 48 orë që të largohet nga vendi por që Itte nuk u largua.

Pas kësaj, Ministria e Jashtme e Nigerit njoftoi heqjen e imunitetit të ambasadorit Itte dhe se ai do të dëbohet nga forcat e policisë.

Ambasadori Itte ende ndodhet në territorin e Nigerit.

– Grushti i shtetit në Niger

Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.

Gjenerali Abdourahamane (Omar) Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik kaloi në krye të qeverisë së përkohshme të emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP).

CNSP më 7 gusht emëroi si kryeministër Lamine Zeine dhe më 10 gusht shpalli kabinetin me 21 anëtarë të përbërë nga ushtarakë dhe civilë.

MARKETING