(VIDEO) Antikorrupsioni hapi lëndë për tenderin 1.8 milionësh të “Eurovias”-s, reagojnë edhe partitë opozitare

(VIDEO) Antikorrupsioni hapi lëndë për tenderin 1.8 milionësh të “Eurovias”-s, reagojnë edhe partitë opozitare

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar kërkesë tek Bashkimi Demokratik për Integrim, se përse ata dhe kompania “Eurovia e kanë shkelur ligjin përmes donacioneve, lidhur me tenderin e 1.8 milion eurove për sallën Boris Trajkovski. Nga antikorupsioni bënë me dije se nuk do ta komentojnë deklaratën e ministrit të jashtëm Bujar Osmani, që nuk e dinte se “Eurovia” ishte donatore e BDI-së dhe kërkuan që edhe institucionet tjera të deklarohen për këtë çështje.

Nuri Bajrami, antar i KSHPK-së

“Tashmë është koha që të mos pyesim KShPK-në se çfarë ndodh me nismat tona. Ne nuk kemi autoritet të vlerësojmë punën e të tjerëve, sepse nëse i lejojmë vetes ta vlerësojmë punën dhe themi se nuk është vepruar me iniciativën tonë, kjo tashmë është presion dhe ndikim”.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevskin do të ishte e dyshimtë nëse do ta fitonte tenderin ndonjë kompani tjetër, sepse “Eurovia” e kishte ofertën më të lirë.

Dimitar Kovaçevski, kryeministër

“Do të ishte e dyshimtë nëse dikush fiton tender a ndërkohë është donator i ndonjë partie politike dhe ka ofruar çmimin më të lartë. Do të ishte edhe më e dyshimtë nëse dikush fiton tender, a është donator i ndonjë partie politike por që nuk është i evidentuar si donator”.

Ndërkaq nga VMRO pyesin se a do ta ndërpres tenderin ministri Bujar Osmani, tashmë që e di se kompania “Eurovia”, është donatorja më e madhe e partis së tij.

Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së

“Osmani është i detyruar të përgjigjet se çfarë do të bëjë më tej, sepse ja deri tani nuk e ka ditur, por tani e di, se kush është kompania. Pyetja është, çfarë do të ndërmarrë tani, a do ta ndërpres marrëveshjen që paraprakisht e ka nënshkruar, ose të jemi më preciz, a guxon ta ndërpresë atë marrëveshje, që e ka nënshkruar me kompaninë donatore?”.

Lëvizja Besa i bënë thirrje institucioneve përkatëse që ta zbardhin të vërtetën e këtij tenderi.

Sinkron: Hasim Murtezani, Lëvizja Besa

“Ne si Lëvizja Besa i bëjmë thirrje të gjitha organeve kompetente, duke filluar nga Prokuroria Publike, Komisioni për Antikorrupsion, Revizioni Shtetëror që menjëherë të fillojnë me ekzaminimin dhe shqyrtimin në detaje të dokumentacionit tenderues për t’u zbardhur e vërteta”.

Nga Alternativa, rikujtojnë deklaratën e Bujar Osmani, ku ka thënë se “Fronti Evropian është i hapur për të gjithë”.

Alternativa

“Me këtë deklaratë, konstatojmë se dolën në pah dy gënjeshtra dhe dy qëllime të liga të Bujar Osmanit. E para, të jesh mbështetës ose pengues për integrimin evropian këtë nuk e përcakton relacioni me një parti ose me një parti tjetër. Gënjeshtra e dytë ka të bëjë me polarizimin rreth temës së Bashkimit Evropian”.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani një ditë më parë tha se nuk e ka ditur që  “Eurovia”, është donatore e BDI-së dhe tha se nuk i ka ardhur mirë kur e ka kuptuar këtë.

Përndryshe, kjo kompani fitoi tender prej 1,8 milionë euro për të ripërshtatur sallën ‘Boris Trajkovski’ për takimin ministror të OSBE-së në nëntor dhe dhjetor. Pronar është nipi i një ish funksionari të BDI-së, njëkohësisht edhe donator i kësaj partie.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING