Kryeministri Kurti mirëpriti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Türkiyes, Mehmet Kemal Bozay, transmeton Anadolu.
Kurti së bashku me shefin e stafit, Luan Dalipi dhe zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu mirëpriti Bozayin, i cili po shoqërohej nga ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe këshilltari i Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Sabri Demiri.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u konfirmua përkushtimi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve tashmë shumë të mira ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Türkiyes në çdo fazë të shtet-formimit, shtet-ndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mirëpritet bashkëpunimin me kabinetin e ri të Presidentit të Türkiyes.
“Fuqizimi i raporteve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe shëndetësisë, dhe planet e përpjekjet e dy palëve për të krijuar një forum ekonomik të përbashkët, ishin prej temave kryesore të diskutimit”, njofton kryeministria.
Krahas tyre, bëhet e ditur se kryeministri Kurti njoftoi delegacionin turk, të udhëhequr nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Bozay edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën në katër komunat në veri.
Zëvendësministri Bozay u prit gjatë ditës në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës edhe nga kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, i cili tha se “thellimi i bashkëpunimit mes dy vende tona në fusha të ndryshme është në funksion të miqësisë mes vendeve tona dhe fuqizimit të shtetit tonë”.