(VIDEO) Lloga: Kamçev njëri nga sponsorët që shkatërroi PSP-në, Ageler: Do të vazhdojmë të shënjestrojmë individë të korruptuar

Jordan Kamçev është njëri nga sponsorët për shkatërrimin e PSP-së. Emri i tij lidhet me shumë probleme që janë sot në vend, mirë që u gjet në listën e zezë të SHBA-ve. Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Ministri Lloga tha se si anëtar i Këshillit Gjyqësorë do të kërkojë që të kontrollohen të gjitha lëshimet që janë bërë gjatë procedurës për të gjitha lëndët ku akuzohet Orce Kamçev.

MARKETING

Description of image

KRENAR LLOGA, MINISTËR I DREJTËSISË

“Me Kamçevin ndodhi ajo që edhe pritej të ndodhë, në fakt që organet gjyqësore të Maqedonisë nuk janë duke e pa. Kamçev është njëri nga sponsorët kryesorë për shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike dhe emri i tij lidhet me shumë probleme që janë sot në vend. Më vjen mirë që ai u gjet në listën e zezë të SHBA-ve. Më vjen keq që organet gjyqësore të Maqedonisë nuk e kanë parë dhe nuk vazhdojnë ta shohin atë me syrin të cilin e sheh edhe qytetari në vend”.

Ndërkaq, Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler pas vendimit për ta përfshirë në listën e zezë biznesmenin, Jordan Kamçev, u shpreh se SHBA-të do të vazhdojnë të shënjestrojnë individë të korruptuar.

ANGELA AGGELER,AMBASADORJA AMERIKANE NË MAQEDONINË E VERIUT

“Këto sanksione nuk ndikojnë vetëm te kompanitë dhe pronat e Kamçevit, por edhe te ata bashkëpunëtorë të cilët kanë bërë biznes me të. SHBA do të vazhdojnë të shënjestroj individë të korruptuar të cilët rrezikojnë sundimin e së drejtës dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Korrupsioni ka pasoja”.

Ndryshe, të mërkurën Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi Kamçevin me arsyetimin se e ka abuzuar pozitën që e ka pasur. Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev është përfshirë në aktivitete korruptive dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING