(VIDEO) Mesazh kërcënues ndaj kreut të ASHMAA-së

(VIDEO) Mesazh kërcënues ndaj kreut të ASHMAA-së

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele njofton opinionin se me datë 13 korrik në telefonin e drejtorit të Agjencisë,  Zoran Trajçevski, nga një person i panjohur janë dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese. Nga Agjencia sqarojnë se  mesazhet janë dërguar pasi Agjencia në seancën e mbajtur më 11 korrik ka refuzuar Iniciativën anonime të paraqitur për heqjen e licencës së TV Alsat-M.

AGJENCIA E MEDIAVE

“Agjencia shqyrtoi iniciativën e dorëzuar, por u konstatua se nuk ishte e mundur qasja deri tek linqet të cilat u dorëzuan si prova të supozuara se Ve Ve Group, pronari i Alsat M, ka keqpërdorur televizionin dhe ushtron presion mbi institucionet shtetërore për qëllime të biznesit. Në të njëjtën kohë, Iniciativa është dorëzuar si aplikim anonim dhe nuk ka pasur mundësi të njoftohet aplikuesi për të hequr mangësitë në të”.

Ata sqarojnë se në legjislacionin e mediave, janë përcaktuar qartë arsyet për të cilat mund të hiqet licenca e radios apo televizionit, pikërisht në mënyrë që veprimi të mos bëhet në baza arbitrare, por në raste të përcaktuara saktë.

AGJENCIA E MEDIAVE

“Dërgimi i mesazheve kërcënuese për shkak të një kërkese të parealizuar, në bazë të dëshirave personale dhe interesave personale, paraqet ngacmim psikologjik individual, dhe në këtë rast, presion dhe kërcënim direkt për lirinë e medias si dhe lirinë e informimit dhe të shprehjes”.

Agjencia e ka denoncuar rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera kompetente, nga ku presin zgjidhje të shpejtë, përcaktimin e përgjegjësisë së personit që ka dërguar kërcënime dhe sanksionimin e tij. Njëkohësisht janë njoftuar edhe organizatat përkatëse ndërkombëtare. Agjencia shpresos  që raste të këtilla të mos përsëriten në të ardhmen sepse reflektojnë jo vetëm në media, por edhe në sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave. /SHENJA/

MARKETING