MPJ: Është kontaktuar policia e Selanikut për vrasjen në Hanioti

MPJ: Është kontaktuar policia e Selanikut për vrasjen në Hanioti

Pas informacionit për vrasjen në Halkidiki të Greqisë, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Athinë ka kontaktuar institucionet kompetente, përkatësisht policinë në Selanik dhe prej aty është konfirmuar se në Sani Villas të Haniotit, dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, kumtoi MPJ.

Të dy personat janë dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri u transportua në një spital tjetër- në Poligiros për tu kuruar mëtutje.

Sipas informacioneve të Ambasadës, disa ekipe të policisë greke ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Më herët, korrespondentja e MIA-s nga Athina njoftoi se një shtetas i Maqedonisë së Veriut 39-vjeçar është vrarë dhe një 45-vjeçar, po ashtu shtetas i Maqedonisë së Veriut, është lënduar pasi persona të panjohur të maskuar kanë qëlluar me armë zjarri në banesën ku ndodheshin në Hanioti, Halkidiki.

Burime policore në Greqi bëjnë të ditur për MIA-n se rreth orës 03:30 me orën lokale, persona të panjohur, të maskuar me maska ​​të plota, me siguri janë afruar në këmbë në banesën ku ndodheshin i vrari dhe i plagosuri dhe kanë filluar të qëllojnë nga jashtë.

Nga të shtënat, 39-vjeçari iu nënshtrua plagëve të marra, ndërsa 45-vjeçari u shtrua në spitalin e Poligiros.

Në banesë kishte edhe persona të tjerë, të cilët nuk u lënduan.

Sipas informacioneve të MIA-s, autorët e panjohur janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ndodhet në terren dhe po punon për rastin si dhe gjetjen e tyre.

Për arsyet dhe motivet, burime policore për korrespondenten e MIA-s nga Athina thonë se është herët për të nxjerrë konkluzione.

Sido që të jetë, nuk përjashtohet mundësia e hesapeve dhe policia do të hetojë nëse i plagosuri dhe personat e tjerë që kanë qenë me të dhe me personin e vrarë kanë marrë kërcënime.

 

MARKETING