(VIDEO) Qeveria: Arritëm marrëveshje me sindikatat, nga shtatori pagat rriten për 10 %

Qeveria informon se pas bisedimeve dhe dialogut të hapur me sindikatat kanë arritur që ta zgjidhin përgjithmonë çështjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik.  Nga Qeveria thonë se në takimin e së hënës, të dyja palët u dakorduan për rritje të pagave prej 10% prej muajit shtator të vitit 2023, si dhe pagesën prej 10.000 denarë për pushim vjetor për vitin 2023, që do të paguhet deri në fund të vitit.

QEVERIA

“Krahas kësaj, u arrit marrëveshje për rritje sistematike të pagave në sektorin publik, përmes një metodologjie që do të zgjidhë këtë problem dhjetëvjeçar. Metodologjia e re e përllogaritjes së pagave në sektorin publik, e cila do të jetë pjesë e Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, do të merret nga paga mesatare e shumëzuar me një koeficient dhe do të llogaritet nga marsi i vitit 2025”.

Nga qeveria sqarojnë se në këtë mënyrë pas 17 vitesh, do të miratohet një Marrëveshje e re e Përgjithshme Kolektive, e cila prezanton një zgjidhje sistematike për pagat në sektorin publik që do të garantojë rritjen e pagave pa kalkulime politike.

Në marrëveshjen e përgjithshme kolektive,  do të përcaktohet pagesa e një shume minimale për pushim vjetor në vlerë prej 30% të pagës mesatare neto. Zgjidhja e përcaktuar do të dorëzohet te Këshilli Ekonomik-Social, ku pritet të miratohet në ditët në vijim./SHENJA/

MARKETING