Këshilli Gjyqësor: Janë të pabaza pretendimet e KSHPK-së për mosveprim në rastin e Merkos

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka vlerësuar si të pabaza dhe të paargumentuara pretendimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për gjoja mosveprim, madje edhe fshehje në rastin e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

“Për herë të parë, një letër urgjente nga KSHPK-ja drejtuar presidentes së atëhershme, Pavlina Cërvenkovska, është dorëzuar më 4 qershor të vitit 2021, e regjistruar me numrin UPP 08 341/1, në të cilën Këshilli Gjyqësor është informuar se është formuar lënda me iniciativën e tyre bazuar në pretendimet e bëra në media për ekzistimin e dyshimit se kryetari i Strugës ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me rastin e blerjes së katër veturave për nevojat e komunës në vlerë të përgjithshme prej 114.000 euro”,  thuhet në njoftimin e Këshillit.

Ata shtojnë se në urgjencë, KSHPK-ja i referohet të dyja vendimeve të marra nga i njëjti gjyqtar, kryetari i Gjykatës Themelore në Strugë, Ifet Bajramovski,

“Në urgjencë, KSHPK-ja i referohet edhe dy vendimeve me numër PPNI 24/16, datë 13.05.2016 dhe PPNI 84/17, datë 28.11.2017 të miratuara nga i njëjti gjyqtar, Kryetari i Gjykatës Themelore në Strugë, Ifet Bajramovski, i cili, siç pretendojnë ata, edhe pse bazohet në të njëjtën gjendje faktike dhe në të njëjtat arsye, çështjen juridike e zgjidh ndryshe. Në rastin e parë, refuzohet kërkesa e debitorit – Komuna e Strugës, ndërsa vendimi i dytë miratohet. Krahas kësaj urgjence, prej aty është shtuar edhe parashtresa nga KSHPK-ja e datës 18.11. 2019, drejtuar kryetarit të atëhershëm të Këshillit Gjyqësor”, Kiro Zdravev.

Tashmë në datën 10.06.2021, ose vetëm më pak se një javë pas marrjes së urgjencës, siç thonë ata, Këshilli Gjyqësor i dërgon një njoftim KSHPKsë, duke e njoftuar këtë institucion se në rastin konkret ka kaluar një periudhë më e gjatë kohore, pra vendimet janë të vitit 2016 dhe 2017, më saktë ka skaduar afati prej tre vitesh i parashikuar në nenin 61 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor.

“Dëshirojmë të theksojmë se me atë rast Këshilli Gjyqësor për herë të parë e merr për inspektim peticionin e përmendur të datës 18.11.2019 drejtuar kryetarit të atëhershëm Zdravev. Pas kontrolleve të bëra në Arkivin e Këshillit Gjyqësor, u zbulua se një parashtresë e tillë nuk ishte fare e regjistruar në sistemin elektronik. Që atje habit pretendimi paushal i KSHPK-së se “parashtresa ka humbur”, thonë ata.

Nga Këshilli Gjyqësor i bëjnë thirrje KSHPK-së që të paraqesë prova se parashtresa është pranuar vërtetë nga Këshilli Gjyqësor në vitin 2018, kur afatet për veprim ishin ende në rrjedhë.

“Është befasues fakti se Antikoruptsionit iu deshën edhe dy vjet për të reaguar me urgjencë në rastin e përmendur dhe shtrohet pyetja se pse deri atëherë nuk ishin të interesuar të kërkonin përgjigje nëse është vepruar e njejta”, theksojnë nga Këshilli.

Prandaj, ata refuzojnë kategorikisht që Këshilli, siç thonë ata, të etiketohet dhe të numërohet padrejtësisht në institucione, të cilat gjoja me vetëdije kanë ndihmuar në zbutjen e rasteve që kanë të bëjnë me kryetarin e Strugës, e aq më pak se në prapavijë janë disa ndikime politike.

“Përkundrazi, të njejtën ditë kur ishte publikuar lajmi për futjen e Ramiz Merkos në “listën e zezë të SHBA-së”, Këshilli Gjyqësor vendosi që t’i kontrollojë të gjitha pretendimet e shprehura nga Departamenti amerikan i shtetit dhe ambasadori amerikan në Maqedoni për gjoja ndikime mbi gjyqtarët e Strugës nga kryetari i komunës”, thonë ata.

Njoftojnë se gjatë ditës së nesërme, komisioni treanëtarësh i udhëhequr nga koordinatori i gjykatës së Strugës, Milazim Mustafa do ta vizitojë gjykatën e Strugës dhe do të bisedojë me gjyqtarët nga kjo gjykatë për të kontrolluar se nëse ka pasur presione, pas së cilës do të përgatitet sa më shpejt një raport, i cili do t’u prezantohet anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por edhe publikut.

MARKETING