Kancelari gjerman kundërshton anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në NATO

Kancelari gjerman kundërshton anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në NATO

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, para mbajtjes së samitit të NATO-s në Lituani, përsëriti se pranimi i Ukrainës në aleancë “nuk vjen parasysh përpara përfundimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, raporton Anadolu.

Duke folur para Bundestag-ut gjerman, Scholz tha se këtë e ka deklaruar edhe vetë qeveria ukrainase.

“Kjo është arsyeja pse unë po bëj fushatë që ne të përqendrohemi në Vilnius në atë që tani ka prioritet absolut, domethënë të forcojmë aftësinë aktuale luftarake të Ukrainës”, tha Scholz.

Samiti i NATO-s në kryeqytetin Vilnius të Lituanisë, që është paraparë të mbahet në mes të korrikut, do të fokusohet në mënyrat për të afruar Ukrainën me NATO-n dhe cilat garanci sigurie mund t’i jepen pas përfundimit të luftës.

Kancelari gjerman u zotua përsëri për mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ai theksoi se ndihma civile dhe ushtarake e Gjermanisë tani arrin në 16,8 miliardë euro.

Ai gjithashtu tha se Gjermania do të përmbushë objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto “duke filluar nga viti i ardhshëm”.

Scholz tha se Gjermania do të vazhdojë të fokusojë dërgesat e saj të armëve në automjete të blinduara luftarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri dhe municione të nevojshme. Në këtë mënyrë, sipas kancelarit gjerman, vendi i tij po furnizon pikërisht atë që Ukrainës i nevojitet më urgjentisht në ofensivën e vazhdueshme për të çliruar territoret e saj.

– Synimi i Suedisë për anëtarësim në NATO

Scholz foli gjithashtu në favor të pranimit të shpejtë të Suedisë në NATO. Ai ishte i “bindur plotësisht se Suedia gjithashtu duhet të ulet në tryezën e samitit si një aleat i ri përkrah Finlandës”.

Scholz i bëri thirrje presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, që të mundësojë këtë tani. Ai shtoi se kjo ishte vendosur bashkërisht në samitin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një memorandum trepalësh në samitin e NATO-s, i nënshkruar mes Türkiyes, Finlandës dhe Suedisë, përcakton se shtetet baltike nuk do të ofrojnë mbështetje për organizatën terroriste YPG/PYD, degën siriane të PKK-së ose për organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron prapa grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Türkiye.

Edhe pse Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës, ajo pret që Suedia të përmbushë angazhimet sipas marrëveshjes së arritur në Madrid.

Disa ministra të jashtëm shpresojnë se Türkiye do të miratojë aplikimin e Suedisë përpara samitit të NATO-s muajin e ardhshëm.

Një ligj i ri suedez kundër terrorizmit ka hyrë në fuqi që nga 1 qershori, i cili lejon autoritetet të ndjekin penalisht individët që mbështesin grupet terroriste.

Por presidenti Erdoğan e bëri të qartë se nëse pritet nga Türkiye që t’i përgjigjet pritjeve të Stokholmit për anëtarësim në NATO, Suedia gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj kundër grupin terrorist PKK përpara samitit.

– Reformat e BE-së për azil

Në një deklaratën qeveritare, Scholz mbrojti gjithashtu planet evropiane për procedurat e azilit në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

“Kjo është një marrëveshje historike, sepse tregon se BE-ja mund të tejkalojë dallimet edhe për çështjet më të diskutueshme”, tha ai.

Scholz u shpreh se Gjermania gjithashtu do të lehtësohet nga një sistem i ri dhe i drejtë, sepse “deri më tani ne kemi qenë objektivi kryesor për migrimin e brendshëm kryesisht të pa menaxhuar brenda zonës Shengen”.

Vendet e BE-së votuan në favor të planeve të reformës gjithëpërfshirëse për çështjen e azilit në fillim të qershorit. Kërkesat për azil nga emigrantët që vijnë nga vendet që kanë një normë njohjeje më të vogël se 20 për qind, duhet të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së brenda 12 javësh.

Gjatë kësaj kohe, ata që kërkojnë mbrojtje duhet të jenë të detyruar të qëndrojnë në ambiente strehuese të kontrolluara në mënyrë të rreptë. Ata që nuk kanë mundësi të fitojnë azil, duhet të kthehen menjëherë.

Megjithatë, është e mundur që Parlamenti Evropian të vazhdojë të bëjë ndryshime në marrëveshjen e arritur. Scholz bëri thirrje që të arrihet një marrëveshje në Parlamentin Evropian përpara zgjedhjeve evropiane vitin e ardhshëm.

Kancelari gjerman tha se vendi i tij gjithashtu duhej të bënte kompromise për këtë çështje.

“Kjo ishte gjëja e duhur për të bërë, në interes të unitetit të Evropës dhe aftësisë për të vepruar”, shtoi ai.

Scholz tha se sistemi aktual nuk funksionon. Gjatë negociatave, qeveria gjermane kishte mbrojtur idenë që familjet me fëmijë të përjashtoheshin nga procedura kufitare.

– Çështja e Tajvanit

Në fjalën e tij, Scholz kërkoi gjithashtu që lidershipi i Kinës të përmbahet nga përdorimi i forcës në Detin e Kinës Jugore dhe afër Tajvanit.

“Ne kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore me forcë ose detyrim”, tha ai.

Kancelari gjerman këtë ia kishte thënë edhe kryeministrit kinez, Li Qiang, në një takim në Berlin. Scholz theksoi se Gjermania dhe vendet perëndimore nuk duan të shkëputen nga Kina, por duan të reduktojnë varësitë.

“Askush nga ne nuk dëshiron të pengojë zhvillimin ekonomik të Kinës”, tha kancelari, duke shtuar se Kina luan një rol vendimtar në sigurinë globale të ushqimit, ndihmën për shtetet me borxhe të mëdha, investimet në teknologjitë e ardhshme, luftën kundër varfërisë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

MARKETING