Kina mbështet përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit SHBA-Iran
Kina ka shprehur mbështetje për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, pasi presidenti amerikan Donald Trump, zgjati armëpushimin përtej periudhës fillestare prej 14 ditësh, transmeton Anadolu.
“Situata aktuale në rajon është në një fazë kritike. Prioriteti urgjent është të parandalohet, me çdo kusht, rikthimi i luftimeve”, tha në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve Jashtme, Guo Jiakun.
Ai shtoi se Kina mbështet të gjitha palët në vazhdimin e përpjekjeve politike dhe diplomatike për të zgjidhur mosmarrëveshjen, me synim arritjen e një armëpushimi të plotë dhe të qëndrueshëm si dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e Pekinit erdhën pasi Trumpi dje tha se Washingtoni do të zgjasë armëpushimin me Iranin për t’i dhënë Teheranit kohë të përgatisë një “propozim të unifikuar”, pas një kërkese nga zyrtarë pakistanezë.
Në një postim në platformën e tij sociale Truth Social, Trumpi tha se shefi i ushtrisë së Pakistanit, marshalli i fushës Asim Munir dhe kryeministri Shehbaz Sharif i kishin kërkuar SHBA-së të shtyjë rifillimin e veprimeve ushtarake derisa të formulohej një propozim i përbashkët.
Armëpushimi, i cili ndaloi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit më 8 prill, ishte planifikuar të skadonte sot.
Zyrtarë amerikanë dhe iranianë pritet të takohen për një raund të dytë bisedimesh në Islamabad këtë javë. Megjithatë, Teherani ka kërkuar që Uashingtoni të heqë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit si kusht për pjesëmarrjen në negociata.
Konflikti filloi më 28 shkurt kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Teherani ndaj aseteve dhe bazave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme.
Islamabadi më pas priti bisedimet e nivelit më të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979, të mbajtura më 11–12 prill.
Irani kishte hequr përkohësisht kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit të premten e kaluar, por e rivendosi atë një ditë më vonë pasi Trumpi tha se bllokada e porteve iraniane do të mbetej në fuqi.

