Presidentja sllovene bën thirrje për unitet: Edhe Sllovenia duhej të ndryshonte Kushtetutën
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mbajti konferencë të përbashkët për media me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shkup, raporton Anadolu.
Në fjalën e saj, presidentja Pirc Musar tha se Maqedonia e Veriut është në zemrën e saj dhe se ka ndjenja të veçanta për vendin, duke shtuar se 10 vjet më parë ka punuar në Shkup për më shumë se 6 muaj.
Presidentja sllovene tha se në fokus të bisedimeve me homologun Pendarovski ishte edhe procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ajo rikujtoi se rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE nuk ishte e lehtë as për Slloveninë.
“Më lejoni të theksoj se edhe Sllovenia duhej të ndryshonte Kushtetutën e saj. Edhe atëherë, në atdheun tim, mund të dëgjohej se kjo nuk ishte një gjë e mirë për popullin slloven, se gjuha sllovene do të humbiste. Ne ndryshuam Kushtetutën në një nen që lejonte qytetarët e BE-së të blejnë dhe të posedojnë pronë”, tha Pirc Musar.
Ajo bëri thirrje për unitet dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Pirc Musar theksoi se në 10 vitet e fundit janë shpërngulur rreth 4 milionë njerëz nga vendet e Ballkanit Perëndimor, teksa theksoi përfitimet që Sllovenia ka pasur nga anëtarësimi në BE.
“Sllovenia do të qëndrojë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut, gjithmonë do të shtrijë dorën. Një fakt tjetër, në 10 vitet e fundit Sllovenia ka investuar rreth 40 milionë euro në arsimimin e qytetarëve maqedonas. Shumë maqedonas studiojnë në Slloveni falas, unë do të angazhohem që kjo të vazhdojë dhe më tej”, tha Pirc Musar.
Ajo shtoi se Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut bashkëpunojnë në shumë fusha, duke përfshirë edhe bashkëpunimin brenda NATO-s.
Presidentja sllovene u shpreh “jashtëzakonisht e kënaqur” me bashkëpunimin ekonomik, duke shtuar se ndërmarrjet sllovene në Maqedoninë e Veriut punësojnë rreth 3 mijë persona.
“Bashkëpunimi ekonomik është vazhdimisht në rritje”
Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë për pritjen e presidentes së Sllovenisë “miqësore”.
Ai tha se në takim kanë pasur një bisedë konstruktive për bashkëpunimin dypalësh dhe marrëdhëniet ekonomike, duke shtuar se është biseduar edhe për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për situatën në rajon dhe në kontinentin evropian.
“Republika e Sllovenisë ka qenë partneri ynë i rëndësishëm në zbatimin e reformave evropiane për vite me radhë. Nga presidentja sllovene kam marrë garanci se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me mbështetje me ekspertë, edhe mbështetje politike, ku Sllovenia do të mbetet promotore e integrimeve evropiane maqedonase“, tha Pendarovski, duke falënderuar të Sllovenisë për këtë mbështetje.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Pendarovski tha se Sllovenia ka vite që është partner dhe investitor i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë e Veriut.
“Vitin e kaluar 2022, këmbimi i përgjithshëm tregtar arriti në më shumë se 280 milionë euro, me një rritje prej më shumë se 40 milionë euro krahasuar me vitin 2021. Bashkëpunimi ekonomik është vazhdimisht në rritje, por, për të rritur shkëmbimin e mallrave në gjysmë miliard euro në vit, u pajtuam që bashkëpunimi ekonomik të thellohet edhe në fushën e shërbimeve dhe investimeve të huaja direkte”, tha Pendarovski.
Presidentja Pirc Musar është pritur më parë me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Gjatë vizitës zyrtare, ajo do të ketë takime edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe do të mbajë fjalim në seancën solemne në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.