Stoltenberg do të vizitojë Ankaranë për bisedime lidhur me anëtarësimin e Suedisë në NATO

Stoltenberg do të vizitojë Ankaranë për bisedime lidhur me anëtarësimin e Suedisë në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg së shpejti do të vizitojë Ankaranë për të biseduar me presidentin Recep Tayyip Erdoğan për anëtarësimin e Suedisë në NATO, transmeton Anadolu.

Stoltenberg iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para takimit jozyrtar të ministrave të Jashtëm që mbahet në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo. Në pyetjen lidhur me anëtarësimin e Suedisë në NATO, Stoltenberg tha se në fillim të javës zhvilloi bisedë telefonike me presidentin Erdoğan dhe tha se “Së shpejti do të vizitojë Ankaranë. Nuk është vendosur ende se kur do të jetë saktësisht”.

Ndërsa kur u pyet për mesazhin që dëshiron t‘i japë Türkiye-s lidhur me ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Suedisë, Stoltenberg deklaroi:

“Mesazhi im është se anëtarësimi i Suedisë në NATO është po aq i mirë për Suedinë, sa edhe për vendet skandinave, rajonin e Baltikut, por edhe për të gjithë NATO-n dhe sigurisht për Türkiye-n dhe aleatët e tjerë. Do të nënvizoj të vërtetën se që nga sot më 1 qershor në Suedi hyn në fuqi ligji i ri për luftën kundër terrorizmit. Në fakt këto ligje krijojnë një ndryshim. Kjo tregon se Suedia tani po ndërmerr hapa të rinj për të përshpejtuar luftën kundër terrorizmit, për shembull duke përfshirë edhe PKK-në, e cila është një organizatë terroriste sipas vlerësimeve jo vetëm të Türkiye-s por edhe të Bashkimit Evropian dhe shumë të tjerëve”.

“Për këtë arsye, mirëpres edhe ligjet më të forta që hyjnë në fuqi më 1 qershor në Suedi por edhe forcimin e bashkëpunimit mes Suedisë dhe Türkiye-s. Kjo në të njëjtën kohë do të jetë edhe prova që Suedia ka përmbushur edhe përgjegjësitë e saj që burojnë nga Memorandumi Trepalësh të nënshkruar në Madrid”, tha Stoltenberg.

Më tej kreu i NATO-s tha se “Nuk duhet të harrojmë se Türkiye ka disa shqetësime ligjore për sigurinë, sepse asnjë aleat nuk është përballur me kaq sulme terroriste sa Türkiye. Për këtë arsye është e rëndësishme që të punojmë me Türkiye-n kundër terrorizmit të çdo lloji. Prandaj mirëpres atë që kanë bërë aleatët e NATO-s dhe në të njëjtën kohë atë që Suedia ka bërë muajin e kaluar për të përshpejtuar luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin me Türkiye-n”.

MARKETING