Moska dhe Minsku nënshkruajnë marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi

Moska dhe Minsku nënshkruajnë marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi

Ministrat e Mbrojtjes së Rusisë dhe Bjellorusisë, Sergei Shoigu dhe Viktor Khrenin nënshkruan sot një dokument për vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi, transmeton Anadolu.

Shoigu i cili ndodhet në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), u takua me ministrin e Mbrojtjes së Bjellorusisë, Khrenin.

Në takim Shoigu dhe Khrenin nënshkruan dokumentin lidhur me “ruajtjen në kompleksin e depozitimit në Bjellorusi të armëve bërthamore jo strategjike të Rusisë”.

Në fjalimin e mbajtur këtu, Shoigu theksoi se dokumenti në fjalë është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. “Rusia nuk po i jep armë bërthamore Bjellorusisë. Kontrolli mbi këtë armë dhe vendimi lidhur me përdorimin e saj i përket palës ruse”, tha ai.

Ministri rus bëri të ditur se kjo është bërë për të garantuar sigurinë e Bashkimit Rusi-Bjellorusi dhe se në të ardhmen do të ndërmerren hapa shtesë në këtë drejtim. “Në kushtet ku kërcënimet janë rritur ndjeshëm dhe aktivitetet bërthamore të NATO-s janë aktivizuar, ne jemi të detyruar të marrim masa të ndërsjella në fushën bërthamore ushtarake”, tha Shoigu.

Pasi rikujtoi se më parë Bjellorusisë i kanë dorëzuar sistemet raketore me precizitet të lartë “Iskander-M”, Shoigu tërhoqi vëmendjen se ky sistem ka aftësi të përdorë raketat bërthamore.

“Një pjesë e avionëve bjellorusë janë përshtatur për përdorimin e armëve bërthamore. Edhe ushtarët bjellorusë kanë marrë trajnim për këtë çështje”, potencoi Shoigu.

– “Vendosja e armëve bërthamore, përgjigje ndaj vendeve perëndimore”

Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Khrenin vuri në dukje se vendosja e armëve bërthamore ruse në vendin e tij është një përgjigje kundër politikës “agresive” dhe “jo miqësore” të vendeve perëndimore.

“Janë hedhur hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e Bashkimit Rusi-Bjellorusi”, tha Khrenin i cili shtoi se i kushtojnë rëndësi forcimit të aftësive të Forcave të Armatosura të Bjellorusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin njoftoi në mars se në Bjellorusi do të vendosin armë bërthamore. Putin tha se me armët në fjalë do të pajisen sistemet me precizitet të lartë “Iskander” të cilët ia kanë dorëzuar Bjellorusisë më parë.

MARKETING